Ky është spitali i Al Shifës, në qytetin e Gazës. Është vetëm një minutë në një ditë, por mjekët na thonë se mund të jetë çdo minutë e 16 ditëve të fundit. Është një skenë nga ferri… dhe shumë prej pacientëve janë fëmijë të vegjël.
Zona e recepsionit është kthyer në një qendër përzgjedhjeje, dhe kudo që hedh sytë ka viktima të reja. Secili nga këta njerëz është urdhëruar nga ushtria izraelite të evakuojnë spitalin, përfshirë stafin e sfilitur dhe të paktë në numër. Dhe ndërsa bombardimet ndëshkuese vazhdojnë, fluksi i të plagosurve vërshon. Mjekët thonë se nuk kanë ku të shkojnë tjetër dhe asnjë mënyrë të sigurt për t’i zhvendosur.
Dr. Marwan Abusada, shef i Kirurgjisë në spitalin Al Shifa, thotë: “Gjatë përshkallëzimeve në të kaluarën na sillnin viktima një ose dy herë në ditë. Por, tani kemi viktima çdo gjysmë ore. Kështu, urgjenca është e tejmbushur me pacientë”.
Doktori paralajmëron se situata do të përkeqësohet në mënyrë dramatike. Sipas tij, spitali është vetëm dy ditë larg nga shterimi i karburantit, që nevojitet për gjeneratorët që mbajnë spitalin dhe pacientët e tij të gjallë.
Clarissa Ward, CNN- Nëse do të mbaronte karburanti, çfarë do të bëni? Çfarë mund të bëni?
Dr. Marwan Abusada – Mendoj që komuniteti ndërkombëtar do të ishte pjesë e një procesi të vrasjes së njerëzve tanë. Nëse ata nuk veprojnë ndaj Izraelit për të lejuar karburantin në Gaza, çfarë të bëjmë me njerëzit që janë në terapi intensive? Ne do të ndalnim ventilimin mekanik. Po në njësitë neonatale, ku kemi më shumë se 130 bebe në terapi intensive? Mendoj se do t’i linim ata të vdisnin në paqe.
Vetëm pak ndihma janë lejuar të hyjnë në Gaza dhe aspak karburant. Ai bllokohet nga Izraeli, me shqetësimin se do të bjerë në duart e Hamasit. Qindra kamionë po presin përgjatë anës egjiptiane të kufirit. Por, përpjekjet diplomatike për të hapur një korridor të vazhdueshëm humanitar kanë dështuar dhe tani nuk ka më kohë për debat.