Kompania ILEAA-GR kishte publikuar në faqen e vetë në Facebook me 16 korrik të vitit 2020 se po i kryen punimet në rrugën Lubozhdë – Lugu i Butë, e cila parashihej të jetë e gjatë 18 kilometra.
Me 23 tetor, 2023, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalur me njoftimin se kjo rrugë është kryer në 50 për qind të pjesës, duke konfirmuar kështu që janë shtruar vetëm nëntë kilometra asfalt për më shumë se tri vjet punime.
Megjithatë, këtë ngecje të madhe në kryerjen e punëve Kurti e ka prezantuar si sukses.
E ka quajtur edhe intensitet të lartë tempin e kryerjes së punëve.
Me këtë “intensitet”, që vetë Kurti e ka paraqitur, kjo rrugë nuk do të përfundojë tërësisht as këtij vit.
Sipas asaj që kreu i ekzekutivit kosovar e ka prezantuar, pra përllogaritjeve që i kanë bërë, brenda këtij viti do të përfundohen 80 për qind e punimeve.
Vlera totale e këtij investimi, siç njofton Kurti, kap shifrën e 3 milionë e 443 mijë eurove.
Për këtë rrugë, që Kurti e ka paraqitur si sukses, ka reaguar anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, duke ironizuar me këtë projekt.
“Apapa, çfarë “suksesi”: Qeveria përfundon 50% të punimeve, të lidhjes me rrugë, të dy fshatrave”, ka shkruar ai në Facebook.
“Kur një Kryeministër, i mandatuar nga mbi 50% e elektoratit, për të qeverisur dhe ofruar jetë me të mirë për qytetarët, nuk ka çka promovon, kur nuk e ka asnjë projekt te rëndësishëm zhvillimor, del e bën një video me dron dhe e promovon një rruge, gjysmë të përfunduar (50%), që i lidh dy fshatra”.
Rukiqi shton se kjo qeveri, në më shumë se dy vite e gjysmë qeverisje, “nuk ka arritur që t’i lidhë me rrugë, as dy fshatra të vetme”.
“Të vetmin projekt të përfunduar, e ka lidhjen e dy brigjeve te një lumi, me një urë të gjatë 3 metra”, theksoi.
Kësaj të fundit që i referohet Rukiqi është ura e vogël prej vetëm 3 metrash e ndërtuar nga kjo qeveri në fshatin Saradran të Komunës së Istogut, ku në përurimin e saj kishte marrë pjesë edhe vetë Kurti.
Kjo kishte qenë një nga ironitë më të mëdha që opozita e kishte bërë në raport me qeverinë, duke kritikuar mungesën e investimeve të mëdha, ironizonin se ky është projekti më i madh i kësaj qeverie, shkruan AlbanianPost.
Qeveria e drejtuar nga Kurti vazhdimisht është kritikuar nga opozita dhe njohësit e fushës për mungesë të investimeve kapitale.
Përkundër që i ka në dispozicion plotë 700 milionë euro, ekzekutivi aktual nuk po i shfrytëzon.
Kjo çështje është parë me shqetësim nga njohësit e ekonomisë, të cilët vazhdimisht kanë theksuar se shqetësimi i madh i bizneseve është përqindja e ulët e investimeve kapitale.