Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, ka përgatitur një raport preliminar prej mbi 50 faqesh ku jepen fakte për të dëshmuar se aksioni terrorist nga paramilitarët në Banjë të Zveçanit ishte i lidhur direkt me shtetin e Serbisë.
“Paramilitarët u nisën nga Novi Pazari, Serbi, në mbrëmjen e 23 shtatorit, dokumentohet edhe me foto, e bërë në orën 16:39, e gjetur në telefonin e njërit prej liderëve të këtij grupi”, thuhet në raport.
“Në orët e hershme të 24 shtatorit, 2023, grupi u fut në Kosovë duke përdorur një rrugë ilegale afër pikëkalimit kufitar të quajtur ‘Izvor’, rruga më e shkurtër që e lidhë Novi Pazarin me fshatin Banjë, në komunën e Zveçanit”, vazhdon sqarimi.
“Bazuar në deklaratën e njërit prej të arrestuarve, udhëtimi i tyre është bërë në grupe dhe në mënyrë të organizuar”.
Tri deri në katër automjete vazhduan rrugën drejt fshatit Banjë, sqaron raporti.
Distanca nga kufiri në Manastirin e Banjës është 14 kilometra. Operacioni ishte udhëhequr nga Milan Radojiçiç.
Raporti tregon se “për t’u futur në Kosovë nga Serbia, paramilitarët kishin përdorur makina kamuflazh duke i bërë ato të dukeshin sikur automjete të forcave të KFOR-it. Makina e Milan Radojiçiç ishte mbështjellur me një mbështjellës ngjyrë ushtrie. Në pjesën e pasme të veturës ishte vendosur një logo e KFOR-it dhe gjithashtu shenja ‘CD’ që iu vendosen veturave diplomatike”.
Në raport thuhet se “arsyeja përse u zgjodh Banja është për faktin se ajo pjesë aktualisht është nën influencën e strukturave ilegale kriminale në të cilat ka investuar Serbia, i ka sponsorizuar, dhe vazhdon t’i kontrollojë përmes emërimit të personelit nga Serbia dhe përmes burimeve financiare. Rëndësia e dukshme e Manastirit të Banjës, bashkuar me kalkulimet për pasoja në civilë, ka shërbyer si kamuflazh perfekt për të portretizuar mashtrueshëm një aksion të policisë së Kosovës si një sulm ndaj Manastirit, saktësisht në kohën kur kishte pelegrinë nga Serbia dhe Maqedonia Veriore”.