Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk e njohin sa duhet Serbinë, thotë ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani. Ai konsideron se ky shtet po luan mes Evropës dhe Rusisë, duke u përpjekur të përfitojë në të dyja anët. Kështu shprehet ai, teksa komenton mos-sanksionimin e Serbisë për aktin e agresionit më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Në intervistën për KosovaPres, Meidani thotë se kjo ngjarje tregon se Serbia nuk ka qenë asnjëherë e sinqertë në procesin e dialogut dhe se ka luajtur teatër gjatë gjithë kësaj kohe.
Ish-kryetari i shtetit shqiptar komenton pozitivisht qasjen e Kosovës për të tejkaluar situatën e tensionuar në veri të vendit.
“Kosova është treguar dinjitoze”, thotë ai.
Serbia ende nuk është sanksionuar nga Bashkimi Evropian për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit, për çka Meidani konsideron se të njëjtën nuk po e njohin sa duhet.
“Ka një problem, nuk e njohin sa duhet Serbinë dhe orientimin e saj. Ajo po luan midis Evropës-Bashkimit Evropian dhe Rusisë, duke u përpjekur që të përfitojë në të dyja anët. Por, unë mund të them vetëm kaq: historia ka të ardhme dhe për të parë mirë këtë të ardhme është se si do të mbyllet lufta në Ukrainë. Në qoftë se Rusia humbet, Serbia me këtë lloj loje që bën do humbas. Ajo duhet të mendojë sot që të ndjekë një rrugë, rrugën evropiane. Dhe në rrugën evropiane ajo mund të ecë përpara. Ndryshe, duke kërcyer nga një kali në kalin tjetrin, ajo nuk mund të eci përpara dhe i gjithë procesi i zhvillimit të saj por edhe vet proceset në Ballkan do të kenë pasoja jopozitive”, shton ai.
Ish-presidenti i Shqipërisë komenton edhe raportet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, ku thotë se elitat politike duhet të bashkëpunojnë.
Tutje, Meidani konsideron se firmosja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive është në dëm të Kosovës.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani thotë se nuk ka asgjë të keqe nga dialogu dhe se duhet të vazhdohet ky proces.
Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore. /KP/