Lajme
Haxhiu sulmon Gjykatën: Nuk është larg mendsh nëse edhe terroristët e 24 shtatorit do t’i lironi si Pantiqin
Demokracia
21:10 | 20 Tetor 2023

Share:

Për lirimin me dorëzani të Dejan Pantiq, i dyshuar për sulm terrorist ndaj zyrave të KQZ-së në veri të Kosovës, pas Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Sipas Ministres Haxhiu, thuaja të gjithë kriminelët që kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe kanë cenuar rendin kushtetues, po lirohen me dorëzani nga Gjykata.

Ajo ka thënë se “nuk është larg mëndësh nëse edhe terroristët e sulmit të 24 shtatorit do t’i lirojë me dorëzani”.

Ajo shtoi se kjo nuk është drejtësi dhe se është e papranueshme.

Ish-polici, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka organizuar sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor është liruar nga arresti shtëpiak.

Ai është liruar pas deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.

Lajmin për Reporteri.net, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor në pikën kufitare në Jarinjë, në Veri të Kosovës. Arrestimi i tij bëri që serbët në veri të vendosin barrikada.

Më 12 dhjetor, atij iu caktua masa e paraburgimit dhe deri më 28 dhjetor ai qëndroi në objektin policor në Jarinjë, pa pasur mundësi që të dërgohet në qendër të paraburgimit.

Atij më pas, për shkaqe shëndetësore, iu ndryshua masa e sigurisë – nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Të ngjashme