Sport
Neymar reagon pas lëndimit të rëndë: E di që jam i fortë, por këtë herë do të më duhen edhe më shumë njerëzit e mi
Demokracia
09:22 | 19 Tetor 2023

Share:

Sulmuesi brazilian Neymar Jr., i cili do t’i nënshtrohet një operacioni, që do ta mbajë jashtë fushave për një periudhë të pacaktuar, pasi pësoi një çarje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë dhe meniskut në gjurin e majtë, tha se është “dëmtimi më i keq” i tij.

“Është një moment shumë i trishtuar, më i keqi”, – ka thënë lojtari i Al-Hilal dhe ylli kryesor i kombëtares braziliane në një koment që ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram, pasi mjekët e kanë diagnostikuar me një nga dëmtimet më të rënda në karrierën e tij.

“E di që jam i fortë, por këtë herë do të më duhen edhe më shumë njerëzit e mi (familja dhe miqtë). Nuk është e lehtë të kalosh një dëmtim dhe operacion, por imagjinoni se si është të kalosh përsëri në këtë ferr katër muaj pasi u rikuperova nga një dëmtim tjetër i rëndë”, – shtoi braziliani.

Lëndimi ishte rezultat i një ndrydhje të gjurit në një aksion të rastësishëm, në fund të pjesës së parë të ndeshjes së të martës, në të cilën Uruguaji e mundi Brazilin 2-0 në stadiumin “Centenario” të Montevideo.

Neymar, i cili nuk i fshehu lotët pasi ndjeu dëmtimin, u desh të dilte nga fusha me barelë dhe të largohej nga stadiumi me ndihmën e patericave. Këtë të mërkurë ai iu nënshtrua vlerësimeve dhe testeve imazherike, që konfirmuan seriozitetin e problemit, sipas një deklarate nga Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF).

Edhe pse CBF nuk dha detaje se sa do të zgjasë rikuperimi i sulmuesit 31-vjeçar, specialistët e konsultuar nga shtypi brazilian sigurojnë se Neymar do të jetë larg fushave për 7 deri në 10 muaj, për shkak të ashpërsisë së dëmtimit.

“Kam besim, madje shumë. Por forcën e lë në dorën e Zotit, që të ma ripërtërijë. Faleminderit për mesazhet e mbështetjes dhe dashurisë”, – ka përfunduar sulmuesi në postimin e tij në rrjetet social.

Këputja e ligamentit të kryqëzuar të përparmë dhe meniskut i bashkohet serisë së dëmtimeve që Neymar ka pësuar që nga viti 2019, që e kanë mbajtur atë larg fushave për të paktën 400 ditë dhe e kanë detyruar të humbasë ndeshje dhe gara të rëndësishme.

Të ngjashme