Profesori i të Drejtës Kushtetuse, Mazllum Baraliu thotë se vendimi i presidentes Osmani për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, është i analizuar mirë nga ajo.
Baraliu në një prononcim për GazetaBlic thekson se, Vjosa Osmani është duke e ushtruar detyrën e saj të pakushtëzuar.
“Ajo është e obliguar me despozitat e Kushtetutes që t’i ushtrojë përgjegjësitë e saj të caktuara. Njëra prej obligimive të saj është pikërisht konfirmimi i emërimeve. Nuk është e rastit që në Kushtetutë është paraparë, përveç fazës të propozimit, të ketë edhe konfirmim të emërimit të tyre nga presidentja”, tha Baraliu.
“Duke qenë objektiv, i paanshëm, si një juriste e mirë dhe e shkëlqyeshme ajo ka analizuar të gjitha procedurat, natyrisht edhe vendimin e Gjykatës Kushtetutese, përveç të tjerave edhe mendimin dhe sygjerimet që kanë pasur vrojtuesit e shtetet mike, veçanarisht nga Britania e Madhe të cilët me sa di unë janë tërhequr edhe nga monitorimi i këtij procesi, për shkak të disa, sipas tyre, parregullësive që janë vërejtur në procedurë për emërimin e kandidatëve për Kryeprokuror”, shtoi ai.
Sipas Baraliut, pala e pakënaqur duhet t’i shfrytëzojë instrumentet ligjore për ankesë.
“Andaj duke marrë të gjitha këto parasysh, Vjosa Osmani po e ushtron të drejtën e saj të pakushtëzuar, pastaj pala e pakënaqur do të duhet t’i shfrytëzojë instrumentet ligjore të ankinimit”, shton Baraliu.
“Mendoj se, presidentja Osmani ka analizuar mirë dhe kjo kohëzgjatësi që nuk ka reaguar u bë për shkak të dispozitave ligjore, kështu për t;iu dhënë mundësi secilit prej kandidatëve të ankohet dhe t’i shfrytëzojë të drejtat dhe instrumentet e tyre ligjore”, tha Baraliu.
“Kur e ka pa se cili është rezultati dhe cila është baza përfundimtare e kësaj, Osmani ka marrë një vendim të tillë”, përfundoi ai për GazetaBlic.
Kujtojmë se, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn, për pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
Osmani në një konferencë për media tha se ka pasur 10 shkelje gjatë procedurës së përzgjedhjes.
Ajo theksoi se si pasojë e kësaj është e obliguar, duke pasur parasysh shkeljet, të mos e bëjë dekretimin” e Isufajt për kryeprokuror.
Zyra e Presidentes e ka publikuar edhe dokumentin që shefja e shtetit ia ka dërguar Këshillit Prokurorial.
Aty, ndër të tjera thuhet se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit është përcjellë me raportime e reagime për parregullsi të shumta, nga organizatat e pavarura që kanë monitoruar procesin e zhvilluar në KPK, duke përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët në vazhdimësi kanë mbështetur ndërtimin dhe zhvillimin e sistemit prokurorial.
“Sikurse organizatat joqeveritare që e kanë monitoruar procesin, ashtu edhe mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë kanë shprehur shqetësime publike lidhur me integritetin e procesit të zhvilluar nga KPK-ja. Këto shqetësime më janë paraqitur edhe mua nga një numër organizatash që kanë monitoruar procesin e zhvilluar në KPK për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Ekziston një vlerësim i përgjithshëm i këtyre monitoruesve se procedura e zhvilluar në KPK është përcjellë me mosrespektim të disa kritereve dhe parimeve themelore kushtetuese, respektimi rigoroz i të cilave është parakusht për garantimin e një propozimi të ligjshëm për Kryeprokuror të Shtetit, si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve në instancën më të lartë të sistemit prokurorial. Këto vërejtje kanë të bëjnë me dështimin e vlerësimit të duhur të integritetit dhe profesionalizmit të kandidatëve e po ashtu edhe me mosrespektimin e parimit të ligjshmërisë, transparencës, meritokracisë dhe barazisë para ligjit”, shkruan në dokument.