Lajme
Pse Lista Serbe ndryshoi mendje dhe po dëshiron zgjedhje në komunat veriore?
Demokracia
16:33 | 15 Tetor 2023

Share:

Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi thotë se një vendim për të marrë pjesë në zgjedhjet e katër komunave veriore nga Lista Serbe, nuk është i çuditshëm.

Arifi në një prononcim për GazetaBlic thotë se i çuditshëm është fakti që Lista Serbe harroi edhe kushtet që dikur ia vendosi Qeverisë së Kosovës për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

“Nuk është i çuditshëm një vendim i tillë, por i çuditshëm është fakti që i harruan kushtet që i kishin caktuar Qeverisë së Kosovës: Largimi i njësive policore nga vendi dhe formimi i Asociacionit”, tha Arifi.

Arifi thotë se janë dy arsye të fuqishme që Lista Serbe ndryshoi mendje kaq shpejt.

“Për një ndryshim kaq të shpejtë të vendimit, janë dy arsye të fuqishme që Lista Serbe ka pranuar kaq shpejt të hyjë në zgjedhjet në veri të Kosovës.Arsyeja e parë është që të zbehen akuzuat për terrorizëm për Listën Serbe dhe shtetin serb dhe e dyta është rikthimi i tyre në pushtet”, shtoi Arifi.

Sipas tij, zgjedhjet tashmë kanë humbur kuptimin e tyre teksa shton se Lista Serbe së pari ka shumë punë për të bërë.

“Në njëfarë forme këta po dëshirojnë që t’i tregojnë botës ndërkombëtare që janë lojtarë dhe që janë për kompromis dhe janë të gatshëm t’i ndihmojnë në çështjen Kosoëv-Serbi . Në planin afatshkurtër kjo duket një gjë e mirë, por atë afatgjatë do të jemi në të njëjta qëndrime. Lista serbe ka shumë punë për të bërë, ata duhet ta pranojnë se shteti i Kosovës është edhe i Listës Serbe”, tha Arifi.

“Zgjedhjet tashmë e kanë humbur kuptimin e tyre sepse gjendja në teren nuk është e njejtë siç ka qenë para 24 shtatorit”, përfundoi ai.

Kujtojmë se, para pak dite kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i ka bërë thirrje Qeverisë së Albin Kurtit që sa më parë të shpallin zgjedhjet për kryetarë të rinj dhe asamble komunale në veri, me mesazhin se janë të gatshëm të marrin pjesë në to.

Në konferencën për media, Rakiq tha se “topi tani është në fushën e Prishtinës”.

“Duhet që këta kryetarë dhe këshilltarë të rrejshëm, të paligjshëm dhe të paligjshëm që prej muajsh ngacmojnë qytetarët tanë, të japin menjëherë dorëheqjen dhe të largohen, të largohen nga ndërtesat tona, sepse nuk janë përfaqësues të popullit tonë. “Qëllimi i tyre i vetëm është të ngacmojnë qytetarët tanë”, tha Rakiq.

Të ngjashme