Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, është optimist se Kosova mund të anëtarësohet vitin e ardhshëm në Këshill të Evropës.
Sipas tij, institucionet kosovare po punojnë aktivisht me shtetet anëtare dhe kanë siguruar mbështetjen e mbi dy të tretave të nevojshme për anëtarësim.
Por, ky disponim nuk duket të jetë në mesin e ministrave të Këshillit të Evropës.
Ministri letonez i Punëve të Jashtme, Krisjanis Karins, ditë më parë është shprehur se nuk ka konsensus brenda ministrave të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.
S’ka konsensus brenda ministrave të KE-së për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Ai është shprehur se Letonia e përkrah anëtarësimin e Kosovës, por sipas tij duhet ende “të kemi përshtypje të ngjashme” nga shtetet e tjera anëtare.
“Në lidhje me sulmet terroriste të 24 shtatorit 2023, realiteti është që në tavolinën e ministrave të Këshillit të Evropës nuk ka konsensus. Po ashtu, akoma nuk ka konsensus në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja e kësaj Asambleje është opinioni duhet t’i paraqitet Këshillit, meqë ne në Këshill të Ministrave, në lidhje me shumë çështje, përfshirë edhe këtë, operojmë mbi baza konsensuale”, kishte thënë ai.
Kosova në vitin 2022 ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare./Demokracia.com/