Pasi që për muaj të tërë kushtëzoi pjesëmarrjen në zgjedhje, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit – Lista Serbe, më 13 tetor ka deklaruar se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës.
“…Të stimulojmë procesin politik dhe dialogun që do të kontribuonte në përmbushjen e kushteve tona, të cilat i kemi theksuar disa herë deri më tani”, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Mirëpo, këtë herë ai nuk përsëriti se cilat ishin ato kushte, por tha se “kërkojmë nga Prishtina që sa më parë të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë të rinj dhe këshilltarë të rinj në të katër komunat e veriut”.
Në fund të qershorit, Rakiq kishte thënë se kushtet për pjesëmarrje në zgjedhje ishin “tërheqja e njësive speciale të Kosovës, amnistia e të gjithë serbëve të arrestuar që morën pjesë në barrikada apo protesta dhe dorëheqja e kryetarëve shqiptarë”.
“Dhe, sigurisht kushti i të gjitha kushteve është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe”, kishte deklaruar Rakiq më 22 qershor.
Radio Evropa e Lirë (REL), i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me kërkesë që të komentojë gatishmërinë e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, por nuk ka marrë përgjigje.
Qëndrimi i Prishtinës zyrtare ka qenë se zgjedhjet në katër komuna me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – mund të shpallen vetëm në bazë të një peticioni për shkarkimin e kryetarëve.
Aktualisht, në komunat në veri kryetarët e komunave janë shqiptarë, sepse serbët bojkotuan zgjedhjet lokale në prill.
Pastaj popullata vendase serbe kundërshtoi hyrjen me ndihmën e policisë të kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, kur serbët u përplasën me pjesëtarët e misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë.
Çfarë thonë subjektet tjera politike serbe?
Lideri i Iniciativës Qytetare Mbijetesa serbe, Aleksandar Arsenijeviq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se përfaqësuesit e Listës Serbe janë pajtuar rreth “amnistisë së tyre”, dhe se për këtë kanë vendosur që të “shkojnë në zgjedhje pa kushte”.
Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të komunës së Zveçanit, me ç’rast u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Ndërsa gjatë përleshjes me policinë u vranë tre sulmues.
Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë Milan Radoiçiq, i cili më pas ka dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe. Kjo parti asnjëherë nuk ka reaguar për veprimet e Radoiçiqit, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Radoiçiqi do të përgjigjet për veprimet e tij.
Radoiçiqi është në listën e zezë amerikane për shkak të krimit të organizuar ndërkombëtar, ndërsa Kosova e lidh me vrasje, korrupsion dhe frikësim të dëshmitarëve në procedurat gjyqësore.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 27 shtator se për shkak të ngjarjeve në Banjskë do të merren masa ndaj Listës Serbe dhe se për këtë do të diskutojë me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Më herët zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorolli, ka thënë tha se Lista Serbe duhet të shpallet “jokushtetuese” dhe “t’i ndalohet nga veprimtaria politike”.
Vendet perëndimore e dënuan ashpër sulmin në Banjskë dhe kërkuan që autorët të sillen para drejtësisë.
Aleksandar Arsenijeviq thotë se vendimi i Listës Serbe për të shkuar në zgjedhje, nuk do të thotë se qytetarët nga veriu do ta përkrahin një vendim të tillë të saj.
Ai thekson se, aktualisht, është e paqartë se në çfarë mënyre mund të mbahen zgjedhjet, ndërsa shpreh besimin se qytetarët nuk janë të gatshëm të mbledhin nënshkrime për shkarkimin e kryetarëve të komunave.
“Familjet, aktualisht, janë të copëtuara në veri, e gjithë shoqëria është copëtuar, nuk ka mundësi që shoqëria jonë të rekrutohet, kjo është absurde”, konsideron Arsenijeviq.
I pyetur nëse do të merrte pjesë në zgjedhje nëse do të thirreshin, Arsenijeviq thotë se do të duhej të konsultohej me ekipin e tij dhe rikujton se propozimi i tyre ishte që të fillohet me formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe dhe të fillojë kthimi i “pjesshëm” i serbëve në institucionet e Kosovës dhe më pas mbajtjen e zgjedhjeve.