Legjislacioni në Kosovë është ndër më të avancuarit në rajon. Por, Qeveria nuk po krijon kushte të përshtatshme që ai të zbatohet, në mënyrë që t’ua lehtësojë jetën qytetarëve. Së fundmi, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), cila udhëhiqet nga Rozeta Hajdari ka nxjerr një vendim që në vend se të krijojë lehtësira për të bërit biznes në Kosovë, ai do të jetë torturues për qytetarët që duan ta avancojnë biznesin, shkruan Demokracia.com.
Qytetarët e Skenderajt, Rahovecit apo Malishevës duhet të humbin krejt ditën vetëm për të noterizuar një dokument. Ata duhet të shkojnë në komunën më të afërt që ta kryejnë këtë punë. Edhe kur të shkojnë duhet të presin më orë të tëra, ngase kërkesat janë të mëdha e personeli i mangët. Tash e disa vite, Ministria e Drejtësisë i ka lënë pa noterë 16 komuna në Kosovë.
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), që funksionin në kuadër të MINT-it, para pak ditësh e ka nxjerr një vendim, i cili obligon bizneset që gjatë aplikimit për ndryshimin e të dhënave ekzistuese në regjistrimin e bizneseve lidhur me bartjen e aksioneve dhe ndërrimin e drejtorëve, të dorëzojnë dokumentet e noterizuara apo vërtetim të nënshkruar nga notërët e licencuar nga Ministria e Drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Por, institucioni që drejtohet nga ministrja Rozeta Hajdari, duket që nuk është në dijeni se kolegia e saj ministre, Albulena Haxhiu, që prej kohës kur e ka marrë drejtimin e MD-së ende nuk ka qenë e aftë të emërojë noterët e rinj për të mbuluar të gjitha komunat. Kjo nuk përbën kurrfarë problemi për MINT-in sesi do të gjinden qytetarët, por e rëndësishme të nxirret vetëm vendimi.
Pika II e këtij vendimi, të cilin e ka siguruar Demokracia.com, thotë se “dokumentet e noterizuara apo vërtetim nënshkrimi sipas paragrafit I të këtij Vendimi, duhet të jetë: kontrata për bartjen e aksioneve plotësisht ose pjesërisht përmes dhurimit/faljes, shitjes, trashëgimisë, apo ndonjë forme tjetër e bartjes, statutin e shoqërisë tregtare dhe Vendimin”.
ARBK-ja këtë vendim e ka marrë më arsyetimin se, ky institucion, por dhe Qendrat Komunale të Regjistrimit – QKB, gjatë procesit të ndryshëm në të dhënat ekzistuese në regjistër të bizneseve, në veçanti për bartjen e aksioneve dhe ndërrimin e drejtorëve, kanë pranuar dokumentacion të nevojshëm si: Kontratën për bartjen e aksioneve plotësisht ose pjesërisht përmes dhurimit/ faljes, shitjes, trashëgimisë apo ndonjë forme tjetër e bartjes, statutit dhe vendimit (për ndryshimet e lartcekura), por të cilat dokumente në disa raste janë pezulluar me dyshime për bartje të aksioneve nga personat e paautorizuar, gjë e cila vërtetohet edhe përmes akt-vendimeve të gjykatave kompetente në Republikën e Kosovës, ku për rastet e njëjta apo të ngjashme janë cekur edhe masa të sigurimit.
“Veprimet e lartcekura janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr.06/L-016 Për Shoqëritë Tregtare dhe ligjet e tjera në fuqi, prandaj ARBK me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të tilla do të veprojë sipas këtij Vendimi në të gjitha rastet kur Shoqëritë Tregtare aplikojnë për ndryshim të të dhënave ekzistuese në regjistër të bizneseve për bartje të aksioneve apo/ dhe ndërrimin e drejtorëve”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Madje, sipas këtij vendimi, të gjitha rastet që janë në proces të bartjes së aksioneve apo/dhe ndërrimin e drejtorëve do t’i nënshtrohen kërkesave të përcaktuara me këtë Vendim që nga hyrja në fuqi.
Nga 38 komuna sa ka gjithsej Kosova, 16 prej tyre nuk kanë asnjë noter, ndërsa numri i përgjithshëm i këtyre juristëve profesionalë është 57.
Numër më i madh i noterëve kërkohet me Ligjin e ri të Noterisë, të miratuar në vitin 2018. Një procedurë për emërimin e noterëve të rinj ka nisur në vitin 2019, por është anuluar.
Noterizimi është proces zyrtar i parandalimit të mashtrimeve, që siguron palët e përfshira në një marrëveshje apo transaksion, se dokumenti i tyre është autentik.
Lidhur më mungesën e noterëve, Demokracia.com ka raportuar disa herë. Nga Ministria e Drejtësisë patën thënë se mungesa e tyre vjen si shkak i pensionimit të disa noterëve.
“Ju njoftojmë se si shkak i pensionimit të noterëve dhe faktit se ende nuk është bërë emërimi i noterëve të rinj, kjo për shkak të procesit gjyqësor që ishte zhvilluar lidhur me Provimin e Noterisë, komunat pa noterë, respektivisht qytetarët e këtyre komunave shërbehen me shërbime noterie në komunën tjetër më të afërt që ka noter”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Demokracia.com dhe që situata nuk ka ndryshuar që nga dhënia e këtij njoftimi që është bërë para disa muajve.
Kjo ministri kishte thënë se janë duke e trajtuar me prioritet mungesën e noterëve dhe shumë shpejtë, brenda kompetencave të saj, do të ndërmarrë veprime konkrete të cilat do të ofrojnë zgjidhje të këtij problemi.
Pa noterë janë aktualisht komuna e Obiliqit, Istogut, Rahovecit, Skenderajt, Malishevës, Junikut, Hanit të Elezit, Mamushës, Ranillugut, Kllokotit, Parteshit, Kamenicës, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Konkursi i fundit për noterë në Kosovë është shpallur në vitin 2019, por ishte anuluar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shkurt të vitit 2020. Si arsyetime ishin paraqitur dyshimet për keqpërdorime në testin e noterisë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, e kishte anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, pasi ishte aprovuar padia e 44 kandidatëve për noterë të ushtruar ndaj këtij vendimit të MD-së.
Gjykata e kishte vërtetuar procesin e provimit për noterinë, të shpallur më 19 prill të vitit 2019, si të ligjshëm dhe të drejtë.
Gjykata e kishte marrë këtë vendim me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se e paditura, qoftë në procedurë administrative ose edhe para gjykatës, ka vërtetuar se Komisioni për Dhënien e Provimit për Noterinë ka cenuar parimin e ligjshmërisë./Demokracia.com/