Në dy seancat e fundit opozita e udhëhequr nga LVV, AAK dhe AKR, mungoi duke e cilësuar zgjedhjen e kryesuesit Pëllumb Bajqinovci si të kundërligjshëm.
Por në seancën e tretë me radhë, edhe pse kryesuesi mbetet i njëjtë, opozita u kthye.
Është ligji për vetëqeverisje lokale i cili në nenin 37 thotë se nëse asamblistët mungojnë 3 mbledhje pa arsye, kryesuesi mund të kërkojë zëvendësim të tyre nga KQZ-ja.
Këshilltari komunal nga radhët e LVV-së, Gëzim Sveçla, deklaron se nuk janë rikthyer për shkak të frikës për zëvendësim.
“Mbledhjet e deritanishme nuk ishin mbledhje të mirëfillta, pasi të njëjtat nuk i njeh si të ligjshme MAPL-ja”, tha Sveçla.
Por kryesuesi Pëllumb Bajçinovci thotë se edhe nëse nuk do të merrnin pjesë në këtë seancë, ai nuk do të kërkonte zëvendësimin e tyre.
Bajçinovci u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal në seancën e jashtëzakonshme të 24 qershorit, pa prezencën e opozitës.
Pas shpalljes të mbyllur të një seance më herët nga kryesuesi i atëhershëm, Fehmi Kupina, MAPL-ja pati vendosur që ta dërgojë në gjykatë lëndën pasi nuk e njeh të ligjshme seancën e 8 qershorit.
Edhe pasi Gjykata Themelore kishte vendosur në favor të Komunës duke i dhënë të drejtë, Gjykata e Apelit e kishte cilësuar të gabuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për çka e pati rikthyer në gjykim prapë pozitën e kryesuesit në Komunën e Prishtinës.
Të hënën Kupina si asamblist i pavarur sërish ka thënë se nuk pajtohet me rrëzimin e tij nga detyra, si dhe me mënyrën e funksionimit të Kuvendit Komunal të kryeqytetit.