Rrjeti i supermarketeve “Konzum” në Kroaci, ka njoftuar qytetarët atje se po tërheq nga marketet produktin serb të ëmbëlsiraveMunchmallow family 210g dhe Munchmallow 105g. Sipas tyre arsyeja e tërheqjes ndërlidhet me vetitë organoleptike të ndryshuara të produktit. Çfarë thonë në Kosovë për këtë produkt?
Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, tha se produkti në fjalë nuk është lejuar për import nga qershori i këtij viti, bazuar në urdhëresën për ndalim të produkteve me origjinë serbe.
Ai shpjegoi se nëse në qarkullim ndodhet sasi e Munchmallow, “duhet të jenë seri tjera të prodhimit që nuk hynë në rangun e produkteve të dyshimta”. Por, tha se AUV do të ngrisë nivelin shtesë të kontrollit të brendshëm për të verifikuar se cilat seri të prodhimit janë të dyshimta.
“Sa i përket kontrollit Kufitar, produktet finale në ketë rast edhe produkti në fjalë nuk është lejuar për import që nga dt. 14.06.2023 bazuar në urdhëresën për ndalim të produkteve me origjinë serbe. Nëse në qarkullim të brendshëm gjendet ndonjë sasi e këtij produkti, duhet të jenë seri tjera të prodhimit që nuk hynë në rangun e produkteve të dyshimta. Ne do të ngrisim nivelin shtesë të kontrollit të brendshëm për të verifikuar me informacione shtesë se cilat seri të prodhimit janë të dyshimta”, tha Thaçi për Gazetën Express.
Gjithsesi ai ritheksoi se “AUV, nga dt.14.06.2023 nuk ka të regjistruar ndonjë import me këto prodhime”.
Konzum në Kroaci u kërkoi klientëve të kontrollonin nëse e kanë blerë produktin dhe ta sjellin atë në dyqanin më të afërt të Konzum, për t’ia kthyer paratë.
“Kërkojmë ndjesë për shqetësimin ndaj klientëve, por është në interesin tonë që të gjitha produktet që nxjerrim në treg të jenë në përputhje me kriteret më të larta të cilësisë dhe shëndetit”, është thënë në njoftimin e supermarketit.
Konzum është zinxhiri më i madh i supermarketeve në Kroaci, me mbi 700 dyqane në të gjithë vendin.