Lajme
Dhjetëra izraelitë të marrë peng, familjarët kërkojnë dëshpërimisht lirimin e tyre
Demokracia
12:35 | 09 Tetor 2023

Share:

Agonia e papërshkrueshme e një babai që tregon momentin kur pa një video të postuar “online”, ku vajza e tij lutet për jetën. “Ishte Noa, e frikësuar dhe e kërcënuar. Nuk e beson dot, edhe kur e sheh qartazi se është vajza jote”, thotë ai.

Ai tani do që kjo video të shihet gjerësisht. 25-vjeçarja, Noa Argamani, shihet në pjesën e pasme të një motoçiklete që po largohet. Dy burra mbajnë me duart e lidhur pas shpinës partnerin e saj, Avi Nathan. Një shtëllungë e madhe tymi duket në sfond. Ata ishin mes më shumë se 1000 personave që po festonin në një festival muzikor në jug të Izraelit, pranë kufirit me Gazën, kur u sulmuan nga militantë të armatosur në orët e para të së shtunës.

Babai i Noas thotë se vajza dhe i dashuri i saj ishin rrëmbyer. Vendodhja e tyre nuk dihet, por presupozohet të jenë në Gaza. “Jam shumë i trishtuar. Ajo është vajza ime e vetme”, thotë Yakov Argamani.

Dhimbja e tij pasqyrohet edhe te shumë të tjerë. Prindër, pjesëtarë të familjes, gra e bashkëshortë të përfshirë nga tmerri dhe dëshpërimi, teksa mendojnë për fatin e të dashurve të rrëmbyer nga Hamasi.

Në një tjetër video që po qarkullon “online”, një grua shihet në pjesën e pasme të një kamionçine, teksa militantët i vendosin një shall në kokë.

Yony Asher, një banor në rajonin e Sharon, tha për CNN se gruaja dhe dy vajzat e tij 5 dhe 3-vjeçare po vizitonin gjyshen e tyre pranë kufirit të Gazës. Ai humbi kontaktet me to, mëngjesin e së shtunës dhe dyshon se mund të jenë rrëmbyer. Më vonë gjatë ditës, dyshimet u konfirmuan kur pa videon: gruaja me shall ishte bashkëshortja e tij.

“Nuk ka asnjë dyshim në mendjen time. Ato janë gruaja ime dhe dy vajzat e vogla. Tani e di me siguri se janë rrëmbyer”, shprehet Asher.

Forcat e Mbrojtjes në Izrael thonë se po përpiqen të përcaktojnë numrin e saktë të pengjeve të marra nga militantët e Hamasit, duke theksuar natyrën komplekse të situatës. Nga të dhënat e deritanishme vlerësohet se mbi 100 persona mund të jenë rrëmbyer.

Yakov ka një mesazh për ata që mbajnë peng të bijën: “Ju keni viktima, ashtu si ne. Kjo është një mundësi për t’u lidhur mes dy vendeve, për të arritur paqen”.

Të ngjashme