Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një intervistë për Demokracia.com ka folur për situatën e krijuar në veri, ku të dielën pati sulm terrorist.
Shala u shpreh se sulmi terrorist u krye nga formacioni paraushtarak i kamufluar nga strukturat e sigurisë së Beogradit.
“Situata e sigurisë në pjesën e territorit të Kosovës në veri të vendit është cenuar nga formacioni paraushtarak në të cilin ishin kamufluar strukturat e sigurisë së Beogradit (BIA dhe Ushtria Serbe) përmes ofrimit logjistik për grupin në fjalë që ka operuar gjatë këtyre viteve në territorin e Kosovës”, u shpreh ai.
Eksperti i sigurisë shtoi se operacionet e 3 viteve të fundit kanë treguar se institucionet e sigurisë në Kosovë e kanë në kontroll veriun.
“Në lidhje me veprimet operative të institucioneve të sigurisë në Kosovë përgjatë këtyre viteve 2021/2022/2023 kanë dëshmuar që situatën në veri të vendit e kanë nën kontroll, duke konfiskuar armatim/municione të ndryshme në operacione të ndryshme në ato 4 komuna veriore”, shtoi Shala.
Tutje, ai tha se institucionet e vendit kanë pasur informacione për veprime të mundshme të këtij grupi terrorist pas takimit të 14 shtatorit në Bruksel mes Kurtit e Vuçiqit.
“Pjesa e cila tani nga veprimi i këtij formacioni paraushtarak na ka dëshmuar që institucionet e sigurisë në vend kanë pasur informacione për veprime të mundshme në atë pjesë, pas ditës kur është kryer takimi i 14 shtatorit në Bruksel”, tha ai.
Shala tha se duhet të lavdërohen institucionet e sigurisë për punën e bërë.
“Nëse i referohemi tani gjithë situat;s dhe audio/viziualizimit të ngjarjes në veri, do të duhej të lavdërohen institucionet e ndjekjes penale, Policia e cila dëshmoi edhe një herë që ka karakter përtej misionit të saj civil, që është kryesisht me karakter ushtarak si xhandarmeri, duke garantuar sovranitetin e vendit në mënyren me profesionale, si dhe institucioni nerologjik që është AKI-ja, e cila mundësoi që zhvillimet në terren të marrin përgjigjen e veprimit adekuat, të shpejtë, në rrethanat që është zhvilluar e gjithë ngjarja”, u shpreh ai.
Shala shtoi se armatimi i grupit terrorist kryesisht ka hyrë përmes rrugëve të kontrabandës.
“Kryesisht armatimi ka hyrë përmes rrugëve të kontrabandës, duke shfrytëzuar grupet kriminale të specializuara në atë pjesë në periudha të caktuara kohore përgjatë viteve të pasluftës, por edhe në vitet e fundit duke marrë armatimin kryesisht të prodhuar/blerë nga Republika Serbe e Bosnjes”, tha ai.
Shala kërkon që Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste
“Pra, mund të konkludohet tani që ky armatim ka patur për qëllim të shfrytezohet për kryengritjen serbe në veri të vendit dhe kështu të arrihet qëllimi i tyre politik për shkëputje të asaj pjese nga territori i Kosovës përmes shpalljes së Republikës së re apo autonomisë dhe për këtë duhet të shpallet organizatë terroriste subjekti Lista Serbe”, tha ai.
Tutje, Shala foli për ikjen e terroristëve, ku tha se KFOR-i ia ofroi korridorin dhe se kjo dëshmon elementin ushtarak brenda këtij grupi.
“Ndërsa ngjarja e korridorit për ikje të bërë dhe ofruar nga ana e KFOR po dëshmon që pala serbe ka pranuar që ekziston elementi i saj ushtarak brenda këtij grupi/formacioni paraushtarak.”, u shpreh ai.
Shala në fund tha se ekziston ende rreziku potencial për sulme të tjera.
“Rreziku është me potencial ende, duke parë që tani do të duhej të presim reagim nga pala serbe”, tha Shala./Demokracia.com/
Gazetari: Çlirim Qeriqi