Sport
Skandal në Irlandë, gjyqtarja raciste nuk i jep medaljen gjimnastes me ngjyrë
Demokracia
15:47 | 25 Shtator 2023

Share:

Një garë gjimnastike për moshat e reja në Irlandë është kthyer në makth për një gjimnaste me ngjyrë.

Në momentin kur u ndanë medaljet për fituesit e konkursit, gjyqtarja që ishte caktuar për këtë detyrë e shmangu vajzën e vogël, e cila ishte e vetmja që mbeti duarbosh mes konkurrentëve.

Prindërit denoncuan menjëherë sjelljen raciste të gjyqtares, por organi kombëtar i sportit irlandez, Gymnastics Ireland ka heshtur për 18 muaj përpara se të lëshojë një deklaratë lidhur me rastin.

Ajo që i ndryshoi mendje është një video e incidentit, që është bërë virale pasi u postua në rrjetet sociale, duke ngjallur indinjatë te publiku.

Prindërit akuzuan Gymnastics Ireland për dështimin në adresimin e situatës duke injoruar atë që ndodhi gjatë garës së zhvilluar në 2022.

“Është e pabesueshme që një vajzë e vogël trajtohet në këtë mënyrë, vazhdon të ketë një problem racizmi në sport”, tha nëna e gjimnastes së re pasi pamjet u publikuan.

Por, organi sportiv irlandez në deklaratën për rastin në fjalë ngarkon me përgjegjësi vetëm gjyqtaren e kompeticionit. Ata shprehen se episodi ishte krejtësisht aksidental, duke u mbrojtur me faktin se vajza e ka marrë medaljen para se të largohej nga aktiviteti.

Ndërkohë, familja e vogëlushes refuzoi faljen e gjyqtares, e cila mbërriti në adresë të tyre vetëm pasi videoja u bë virale në internet.

Për incidentin ka reaguar edhe kampionia olimpike amerikane Simone Biles. Ajo kontaktoi familjen e vajzës për t’i shprehur simpatinë e saj.

“Më theu zemrën kur pashë atë video, nuk ka vend për racizëm në asnjë sport”, tha gjimnastja amerikane.

Të ngjashme