Pas shumë përpjekjeve shumëvjeçare që Kosova i kishte bërë për ta shtrirë integritetin e plotë në veri, duket se kanë shkuar huq si pasojë e veprimeve të Qeverisë Kurti.
Derisa serbët gradualisht kishin filluar të integrohen në sistemin e Republikës së Kosovës dhe kishin filluar t’i respektojnë ligjet e Kosovës, e gjithë kjo nën Qeverinë Kurtin është zhdukur dhe ka krijuar një kaos në atë pjesë të vendit, shkruan Demokracia.com.
Largimi i serbëve nga institucionet atje ka krijuar një vakum me pasoja shumëvjeçare në zhvillimin e asaj pjese të vendit.
Përveç vakumit institucional, Kosova tani nuk mund të dërgojë as njësitë speciale në veri pa lejen e KFOR-it, duke pamundësuar kështu shtrimin e rendit dhe ligjit atje.
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Angelo Ristuccia, dje e vuri përsëri në theks se gjithçka që lidhet me sigurinë në Kosovë duhet të bëhet në koordinim me ta.
Këtë, ai e tha gjatë një konference për media në Beograd kur po i përgjigjej pyetjes nëse Policia e Kosovës duhet të marrë leje nga KFOR-i për të dërguar njësitet speciale në veri.
Deklarata e Ristuccias e hedh poshtë pretendimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se gjendja në veri s’ka qenë asnjëherë më mirë.
Veprimet e Qeverisë Kurti në mandatin e saj kanë bërë që Kosova si shtet dhe Republikë të humbas fuqinë e saj në veriun e Kosovës.
Zgjedhjet në veri të vendit përkundër që janë temë e brendshme e Republikës së Kosovës janë bërë temë diskutimi në tryezën e dialogut me Serbinë.
Përpjekjet e Kosovës dhe fuqive ndërkombëtare dhjetra vjeçare që t’i ulin tensionet në veri dhe të integrojnë serbët brenda sistemit të Kosovës kanë shkuar dëm brenda afro 3 viteve në qeverisjen e Kurtit.
Veprimet e pakoordinuara me aleatët nga kjo Qeveri kanë rezultuar edhe me humbjen e përkrahjes ndërkombëtare.
Këto veprime të Qeverisë Kurti kanë bërë që shteti ynë për herë të parë të jetë nën sanksione nga aleatët e saj, që e ndihmuan të fitojë pavarësinë.
Për herë të parë, Serbia po favorizohet në dialog nga ndërkombëtarët dhe Kosova po kritikohet për qasje jokonstruktive.
Sanksionet dhe kritikat e shumta nga ndërkombëtarët duket se nuk po e shqetësojnë aspak kryeministrin Albin Kurti, i cili po vazhdon me avazin e vjetër, ku tash ka krijuar një armik të ri, ndërmjetësin evropian, Miroslav Lajçak./Demokracia.com/