Në konferencën për media, Kryeministri Kurti është pyetur nëse do të kërkojë ndërhyrjen e ShBA-së, si garantuese e Dialogut, por që i pari i Qeverisë tha se kjo nuk është çështje ShBA-BE, shkruan Reporteri.net, përcjell Demokracia.
Kurti tha se një ditë pas takimit i ka dërguar letër sqaruese, Parisit, Berlinit, Romës dhe Washingtonit.
Ai tutje tha se konfirmimin për letrën e pranuar e ka marrë nga kancelari gjerman, Olaf Scholz si dhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Unë të nesermen me date 15 shtator, i kam dërguar letër sqaruese Parisit, Berlinit, Romës dhe Washingtonit, dhe nga Parisi dhe Berlini kam konfirmimin që e kanë pranuar. Scholz dhe Macron, Melonit dhe Blinkenit, por edhe një herë, nuk është çështja BE-ShBA. Kemi të bëjmë me një emisar evropian i cili e ka deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike”.
“Ky deformimi i procesit të zbatimit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi që për bindjen time është fundamentale. Sa herë ka shkelje të marrëveshjes bazë, do duhej që arbitri referi t’i bie pipit të filikaqës, por nuk ka ndodhur, referi nuk ka thënë që kjo është shkelje. Cili është kuptimi që në merremi vesh për një tekst, dhe më pastaj me deklarata e shkelim dhe referi nuk reagon. Kjo është padrejtësi”.
“Ska të bëjë Evropë-Amerike, jo po shkojmë te ky e ai. Ata janë bashkë në këtë proces. Ata e kanë lidhjen e fuqishme translatntike në këtë proces. Neve na duhen të dyja. Por neve nuk na duhet një ndërmjetësim i tille i njëanshem i cili shkon kundër marrëveshjes bazike”, tha Kurti./Reporteri.net/