S’është punë besimi, por çështje që “ka të bëjë me detyrime me efekte ligjore për njerëzit dhe qeveritë”, tha i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar për zbatimin e marrëveshjes së fundit Kosovë-Serbi, të cilën e konsideron “shumë historike”. Para takimit të nesërm me presidentin serb, diplomati amerikan e thirri kryeministrin e Kosovës në telefon. SHBA-ja dëshiron ta shoh Albin Kurtin duke e prezantuar draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Themelimi i këtij organizmi tashmë konsiderohet çështje thelbësore në Washington. “Tashmë po fillojmë t’i shohim pasojat”, tha Escobar, duke shtuar se Kosova do të humbë shumë nëse këtë vit nuk bën lëvizje konkrete në këtë drejtim.
Para se të shkojë nesër në Bruksel për t’u ulur përballë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për një rund të ri të dialogut, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e telefonoi i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar dhe Kurti, biseduan të hënën për “rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
“Diskutuan rëndësinë e sigurimit të zbatimit të qetë dhe të shpejtë të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të saj. Konfirmova gatishmërinë time për t’u angazhuar në negociata aktive gjatë takimit të dialogut në Bruksel dhe e falënderova për mbështetjen e SHBA-së”, shkroi Kurti në “X”, pas telefonatës.
Kurti të martën u telefonua edhe nga i dërguari i Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach. Takimi në Bruksel ishte tema kryesore, dhe në këtë, “nevoja për zbatimin e shpejtë, të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër”, siç njoftoi ZKM.
Escobar, ndërkaq, nuk pati telefonatë me Vuçiqin. Të paktën deri tash nuk ka pasur ndonjë njoftim për këtë. Por në prag të takimit, ai në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se pret që palët t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe të fillojnë zbatimin e saj.
Kur iu tha se në telefonatë me Kurtin “duket se keni marrë një lloj zbatimi nga ai për zbatimin e marrëveshjes”, Escobar e mohoi. Ai u pyet nëse ka marrë zotim të ngjashëm edhe nga Vuçiq, por përgjigjja ishte e shkurtër: “Nuk kam marrë zotim nga Kurti”.
Pasi iu tha sërish se Kurti kishte thënë se ishte zotuar për zbatimin e marrëveshjes, Escobar tha se kjo përfshin “prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe”.
“Ne duam zotim konkret për fillimin e zbatimit (të marrëveshjes). Dhe sa i përket Kosovës, kjo përfshin prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe. Ai nuk u zotua për ta bërë këtë gjë. Ai, në thelb, u zotua të shkonte në Bruksel dhe të ishte i pranishëm në takime, por asgjë përtej kësaj”, tha diplomati amerikan.
Ai tha se më “nuk është çështje besimi” nëse udhëheqësit aktualë në Prishtinë dhe Beograd do ta zbatojnë marrëveshjen.
“Ata e arritën marrëveshjen dhe tashmë është çështje zbatimi. Duhet të shohim vullnet politik nga dyja palët për të zbatuar pjesën e tyre të marrëveshjes. Nuk është çështje besimi. Ka të bëjë me detyrime me efekte ligjore për njerëzit dhe qeveritë”, tha Escobar.
Kosovës dhe Serbisë do t’u duhet ta zbatojnë një marrëveshje të finalizuar në mars, të cilën Escobar e konsideron “shumë historike”. Edhe pse tensionet në veri eskaluan deri në dhunë vetëm rreth dy muaj nga takimi Kurti-Vuçiq në Ohër ku u finalizua marrëveshja, atyre do t’u kërkohet të merren me zbatimin këtë vit.
Formimi i Asociacionit konsiderohet çështja thelbësore që Kosova duhet ta zbatojë dhe SHBA-ja prej që të “shënohet përparim këtë vit”. Escobar tha se “tashmë po fillojmë t’i shohim pasojat” e ngurrimit në zbatimin e marrëveshjes.
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit tha se Kosova ka para vetes mundësi për të marrë njohje të reja, për konferencë donatorësh, për dialog strategjik me SHBA-në, si dhe për një marrëdhënie më të afërt me NATO-n. “Fatkeqësisht, nëse nuk shënojmë përparim, do ta humbim këtë (mundësi) këtë vit”, tha ai.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill pati thënë muajin e kaluar se “disa gjëra duhet të ndodhin”, duke theksuar qëndrimin e qartë të SHBA-së tashmë se është çështje thelbësore themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu siç kishte thënë edhe Escobar në Kongresin Amerikan. Hill s’kishte dyshim se Washingtoni po ndjek politikën e duhur në raport me dialogun Kosovë-Serbi, dhe pavarësisht (mos)suskesit, u paralajmërua se do të instistojnë në zbatim dhe se “loja nuk ka mbaruar”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian e panë fajtor Kurtin për tensionimin e situatës në katër komunat veriore, pasi në maj kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. BE-ja e ndëshkoi Kosovën për t’u marrë vesh më pas me të për një plan për shtensionim.
Tash, SHBA-ja pret që Kosova të konsultohet me bashkësinë ndërkombëtare dhe veçanërisht KFOR-in edhe për vendosjen e Policisë në pjesën veriore të vendit. Escobar tha se mendojnë “absolutisht ashtu”, duke e quajtur të rëndësishme kërkesën e shprehur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg javën e kaluar, se Kosova duhet të konsultohet me kohë me Aleancën “për çfarëdolloj zbarkimi që mund të ndikojë mjedisin e sigurisë”.