Lajme
DOKUMENT| Emin Hoxhaj emërohet drejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar
Demokracia
12:00 | 11 Shtator 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti e ka emëruar sot Emin Hoxhajn, Drejtor të Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Hoxhaj ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës nga viti 2001, duke shërbyer në kapacitete të ndryshme, përfshirë si Shef i Njësisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe tash së fundmi si Shef i Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Gjakovë.

Hoxhaj ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Prishtinës.

 

 

 

Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar për qëllim ka themelimin e parimeve bazë, standardeve minimale të sigurisë dhe një sistem unik për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ky ligj do të zbatohet nga të gjitha institucionet publike që ushtrojnë kompetenca ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore, për personat fizik dhe juridik, që bazuar në parimin e nevojës për të ditur, në ushtrimin e detyrës mund të kenë qasje në informacionin e klasifikuar të Republikës së Kosovës, shteteve dhe organizatave tjera ndërkombëtare.

Për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar është përgjegjës personi, të cilit i është besuar informacioni i tillë.

Kush do të jetë autoriteti që do klasifikojë informacionin?

Në ligj theksohet se autoritet do të jetë Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e kryesisë së Kuvendit, Kryeministri dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës, Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe udhëheqësit e institucioneve të pavarura.

Po ashtu, klasifikimi bëhet edhe për ndonjë informacion të shteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare, marrëdhënie apo veprimtari ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, të cilat mbrohen nga ekspozimi i paautorizuar.

Informacion i klasifikuar do të konsiderohet edhe çdo veprimtari, burimet informative dhe metodat e punës së organeve dhe institucioneve të inteligjencës që lidhen me sigurinë e Republikës së Kosovës, por edhe sisteme, instalime, infrastruktura, projekte, plane apo shërbime të mbrojtjes që lidhen me interesat e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Niveli i klasifikimit do të jetë i renditur në “tepër sekret”, “sekret”, “konfidencial” dhe “i kufizuar”.

Informacioni do të mbetet i klasifikuar për aq kohë sa e kërkon interesi i sigurisë së Kosovës.

Informacioni “i kufizuar” do të ketë kohëzgjatje një vit, informacioni i klasifikuar si “konfidencial” mund të ketë kohëzgjatje prej pesë vite, informacioni i klasifikuar si “sekret” 15 vite, ndërsa informacioni i klasifikuar si “tepër sekret” do të ketë kohëzgjatje 50 vite.

“Llogaritja e afateve të ruajtjes së klasifikimit fillon nga data e prodhimit të informacionit të klasifikuar”, thuhet në ligj.

Në rast se autoriteti klasifikues konsideron se informacioni duhet të mbrohet më gjatë se sa që është paraparë, ai nxjerr vendim të ri për klasifikim në pajtim me nenin 8 të këtij ligji.

“Vendimi i tillë nuk guxon të merret më herët se gjashtë (6) muaj para datës së paraparë për deklasifikim “, thuhet tutje në këtë projektligj.

Në ligj është paraparë edhe asgjësimi dhe shkatërrimi i informacionit të klasifikuar.

Pra në këtë rast, çdo institucion shtetëror, titullari i atij institucioni apo i autorizuari, krijon komisionet për asgjësimin dhe shkatërrimin e informacionit të klasifikuar.

Po ashtu, do të ketë edhe sanksione penale për ata që zbulojnë dhe nuk ruajnë informacionet e klasifikuara.

Kushdo që zbulon informacionin e klasifikuar si “konfidencial” kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej 1 deri në 5 vite.

Kushdo që zbulon ose nuk ruan informacionin e klasifikuar si “sekret”, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vite.

Kushdo që zbulon ose nuk ruan informacionin e klasifikuar si “tepër sekret”, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej 5 deri 12 vite. /Demokracia.com/

Të ngjashme