Lajme
Udhëtime zyrtare, bileta, dreka e telefon| Sa para shpenzoi për gjashtë muaj Konjufca me kabinetin e tij?
Demokracia
13:00 | 03 Shtator 2023

Share:

34 mijë e 155 euro është totali i parave të shpenzuara brenda gjashtë muajve, nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kabinetit të tij.

Këto para u harxhuan për udhëtime zyrtare, telefon, akomodim, për bileta të udhëtimit e dreka zyrtare.

Bazuar në të dhënat që ka siguruar Telegrafi përmes qasjes në dokumentet publike, më së shumti para u harxhuan në udhëtime zyrtare e akomodim, bileta të udhëtimit dhe dreka zyrtare.

14 mijë e 116 euro janë shpenzuar në bileta të udhëtimit nga gjashtë këshilltarët e kryeparlamentarit Konjufca.

Ndërkaq 11 mijë e 167 euro janë shpenzuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca së bashku me dy këshilltarët e tij, Besnik Vasolli e Ilir Kërçeli, për udhëtimet dhe akomodimin në Francë, SHBA, Strasburg dhe Portugali.

Vetëm Konjufca në këto katër udhëtime shpenzoi në total 6 mijë e 052 euro.

Ndërkaq udhëtimi zyrtar në Shqipëri, kabinetit të Konjufcës i ka kushtuar 537 euro.

Për gjashtë muaj kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca shpenzoi vetëm 140 euro në telefon, ndërkaq në total nga ai dhe stafi i kabinetit për këtë periudhë u shpenzuan 1 mijë e 155 euro, shkruan Telegrafi.

Shuma më e madhe e shpenzuar në telefon ishte 140 euro, ndërkaq më e vogla ishte 10 euro, që u shpenzuan nga dy zyrtarët personal të Konjufcës, Egzon Haliti e Gezim Bajrami.

Për gjashtë muaj kryepralamentari Glauk Konjufca shtroi shtatë dreka për zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme që vizituan Kosovën.

Për këto dreka, Konjufca shpenzoi 7 mijë e 180 euro. Ato u shtruan për presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, për kryeparlamentarin e Austrisë, për kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Drekë u shtrua edhe për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, për nderë të Epopesë së UÇK-së si dhe për shënimin e 145 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Të ngjashme
Lajme • 23 Prill 2025