Njëri prej njerëzve të afërt të kryeministrit Albin Kurti, Hysamedin Feraj ka vazhduar edhe sot sulmet ndaj ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, pas deklaratës së tij se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është vendimtar dhe se serbët duhet ta dinë të ardhmen e tyre. Për këtë, ai thotë se e mbështesin atë.
Sipas Feraj, Hill po i përcjellë fjalët e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Demokracia.com.
Ky është postimi i plotë i Ferajt:
z. Christopher Hill:
“Mendoj se komuniteti serb në Kosovë duhet të dijë se si do të jetë jeta dhe e ardhmja e tyre dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin fuqishëm Asociacionin e Komunave Serbe – kjo është vendimtare”.
* * *
Kjo është fjalia e parapëlqyer e Vuçiqit, por e përsëritur shpesh nga z. ambasador amerikan, na vë në dyshim të ardhmen e gjithë të tjerëve si qytetarë të RKS, pra vetë Kosovën:
• Të ardhmen e gjithë qytetarëve të RKS e tregon kushtetuta. Nëse kjo nuk u bën të ditur serbëve në Kosovë “se si do të jetë jeta dhe e ardhmja e tyre” pse duhet të na e bëj ne të tjerëve? Pse SHBA e kanë mbështetur, në mos e kanë bashkëhartuar atë Kushtetutë?
• A do të thotë se kushtetuta e Kosovës nuk është mjaftueshëm demokratike dhe se, për serbët, Zajednica do të jetë korrigjimi dhe garanti i saj, por jo për qytetarët e të gjitha etnive, racave apo besimeve të tjera? Cila di të jetë e ardhmja e ne të tjerëve?
• A do të thotë se SHBA brengosen vetëm për serbët në Kosovë dhe për asnjë prej etnive, racave dhe besimeve të tjera?
• Të ardhmen e tyre serbët e Kosovës e duan brenda Serbisë, bashkë me Kosovën ose me një pjesë të saj. A ju tregon atyre Asocacioni këtë të ardhme brenda Serbisë, pra “se si do të jetë jeta dhe e ardhmja e tyre”?
• Nëse Asociacioni nuk është mbi dhe ndryshe (ndryshim/zgjerim) kushtetutës së RKS, si arrin Asociacioni t’i tregojë komunitetit serb në Kosovë “se si do të jetë jeta dhe e ardhmja e tyre”?
Këto janë vetëm disa pyetje, sa për hapje të diskutimit publik për të ardhmen tonë.
LEXO EDHE:
Hill për dialogun: S’jemi në fund të procesit, diku në mes, ndoshta kemi rënë pak në baltë