Ndonëse zyrtarisht është Gjykatë e Kosovës, tejet të interesuar për procesin gjyqësor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë rezultojnë të jenë qytetarët e Serbisë. Siç është raportuar në mediat serbe, në Hagë kanë shkuar edhe studentët e Fakultetit Juridik të Kragujevcit, të cilët kanë marrë pjesë në gjyqin në një seancë kundër ish-krerëve të UÇK-së.
”Studentët e Fakultetit Juridik në Kragujevc, Nemanja Jankoviq, Ivana Milenkoviq, Nikolla Rakoviq dhe Vladimir Raiçeviq, morën pjesë në gjyqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Hagë, i cili po zhvillohet para Dhomës së Posaçme për Krimet e kryera në Kosovë, raporton Glas Šumadije”, thuhet në mediat serbe.
Seanca në të cilën ata morën pjesë, sipas mediave serbe, është mbajtur si pjesë e procesit në të cilin u akuzuan ish-udhëheqësit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
”Studentët udhëhiqeshin nga profesorët Višnja Rangjeloviq dhe Nikola Ivkoviq. Qëndrimi përfshinte vizita në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Tribunalin e Hagës dhe Europol, me qëllim që studentët të njihen me mënyrën se si funksionojnë këto institucione. Vizita e studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Kragujevcit u mbështet nga Oda e Avokatëve të Kragujevcit”, thuhet më tej. /Demokracia.com/