Kuriozitete
Jeton prej 70 vitesh me “mushkëri të hekurt”, shkruan libër duke përdorur dhëmbët
Demokracia
13:44 | 01 Shtator 2023

Share:

Motoja e tij në jetë është të mos dorëzohesh kurrë, por 71 vite jetë të 77-vjeçarit Paul Alexander nuk kanë qenë kurrë të lehta.

Ai ishte vetëm gjashtë vjeç kur u godit nga poliomieliti, i cili e la të paralizuar nga qafa e poshtë. Në pamundësi për të marrë frymë vetë, Paul u vendos brenda një tubi të veçantë të quajtur “mushkëria e hekurt”, e cila e ka mbajtur gjallë që nga viti 1952.

Edhe pse Paul jeton i varur nga makina, ai ka arritur të zhvillojë mënyrën e tij të frymëmarrjes , të cilën ai e quan “frymëmarrje bretkosash” dhe që i lejon atij të dalë jashtë makinës.

“Mushkëria e hekurt” është një tub mrekullie që zëvendësoi rolin e mushkërive të infektuara dhe shpëtoi jetën e mijëra pacientëve të paralizuar nga poliomieliti, kryesisht në vitet 50.

Ventilatori në fjalë, i cili duket si një arkivol metalik i frikshëm, kërkon që pacientët të shtrihen brenda tij, me një pajisje të lidhur fort në qafë.

Pajisja funksionon duke krijuar një vakum dhe kështu mushkëritë e pacientit furnizohen me oksigjen pasi sistemi nervor qendror dhe funksioni i frymëmarrjes janë dëmtuar nga poliomieliti.

Paul arriti të marrë frymë vetë duke zhvilluar një teknikë shumë të vështirë të quajtur “frymëmarrja e bretkosave” (glosofaringeale), e cila bëhet duke gëlltitur ajrin.

Atij iu desh një vit për ta përmirësuar këtë stil frymëmarrje dhe pasi e perfeksionoi, arriti të dilte nga mushkëria e hekurt, duke dalë fillimisht në tarracën e shtëpisë dhe më pas në oborr.

Në moshën 21-vjeçare, ai u bë personi i parë që u diplomua nga një shkollë e mesme në Dallas pa ndjekur mësimet personalisht.

Paul regjistroi përvojat e tij në një autobiografi me 155 faqe, të cilën e shkroi gjatë pesë viteve me një stilolaps të ngjitur në një shkop që e drejtonte me dhëmbët e tij.

Tani, në moshën 77-vjeçare, ai është një nga njerëzit e fundit në botë që ende përdor një mushkëri hekuri dhe mbështetet pothuajse ekskluzivisht tek ajo për të marrë frymë. 77-vjeçari madje i mbijetoi pandemisë së koronavirusit, pavarësisht se ishte në grupin me rrezik të lartë.

Të ngjashme