Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se të gjitha nxënësit e shkollave publike 9 vjeçare, do t’i marrin librat falas.
Kështu ka thënë ai përmes një shkrimi në Facebook.
“Mirëmëngjes dhe me nisjen e shpërndarjes së teksteve FALAS për të gjithë nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare – ku përveç klasave të para, edhe ato të dyta e të treta do t’i kenë librat falas me një përdorim – si dhe për nxënësit e 16 kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë, një konkretizim tashmë tradicional i mbështetjes së qeverisë shqiptare për të pajisur nxënësit me burime cilësore të dijes, ju uroj një ditë të mbarë.”, tha ai.
Ndërkohë, mijëra nxënës në Kosovë sot fillojnë vitin e ri shkollor. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shkak që nuk ka arritur marrëveshje me shtëpitë botuese, kësaj here ka marrë vendim që librat t’i blejnë prindërit.
Parat, sipas asaj që u bë e ditur nga Qeveria e Kosovës, do të rimbursohen.
Ky proces, që po konsiderohet edhe më i komplikuar e më i shtrenjtë, do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 13 milionë euro.