Lajme
Alarmante | Kurti vazhdon të shkruajë poezi, por mbi 150 mijë qytetarë pritet të largohen nga Kosova vitin e parë të liberalizimit të vizave
Demokracia
18:47 | 31 Gusht 2023

Share:

Gjendja ekonomike e kosovarëve çdo ditë e më shumë po përkeqësohet. Shumica e qytetarëve e shohin largimin nga Kosova si të vetmen shpresë për të siguruar një jetesë të dinjitetshme, shkruan Demokracia.com.

Kosovarët janë nacionaliteti që kanë paraqitur më së shumti kërkesa për kokë banori, me 6891 persona që aplikojnë për vizë në çdo 100,000 banorë.

Sipas Statistikave të Shengenit, çdo person i 2126-të në vendin me 1.7 milion banorë, ka aplikuar për vizë në vitin 2022, duke qëndruar përpara të gjithë aplikantëve të tjerë, ndërsa numri i përgjithshëm i aplikuesve kosovarë për vizë ka arritur në 121.972. Në përgjithësi, 6.8 për qind e popullsisë në Kosovë ka paraqitur një kërkesë për vizë shengen në vitin e kaluar.

Kosovarët prijnë në botë me më së shumti kërkesa për viza – dalin të dhënat për vitin e kaluar

E nëse nuk ka ndonjë ndëshkim nga Evropa, siç u paralajmërua nga presidenti francez Emmanuel Macron, nga 1 janari i vitit 2024 qytetarëve të Kosovës do u mundësohet lëvizja pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Macron ka paralajmëruar se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet të kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, ka deklaruar Macron.

Qeveria e Kosovës nuk po bënë asgjë për të rritur mirëqenien e qytetarëve të saj.

Kryeministri Albin Kurti po merret kryesisht me dialogun me Serbinë, ngecjet dhe problemet rreth tij, për të cilin dikur thoshte s’e nuk e ka prioritet, por Kurti sërish më 14 shtator do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Po ashtu, ai po merr pjesë nëpër forume nga ku Kosovës vazhdon të mos i sjellë asgjë.

Pas Greqisë, ai ishte në Slloveni dhe nga atje u kthye me një status poetik, të cilin e publikoi në Facebook.

“Me mjegullën mbi liqe, qiellin e ngrysur…” | Kurti nuk shqetësohet për sanksionet e BE-së, shkruan për Bledin e Sllovenisë si të ishte në piknik

Kurti duket s’e nuk është alarmuar fare nga shifrat e mëdha të kosovarëve që duan ta lënë vendin e tyre të pashpresë për një jetë më të mirë.

E nëse nuk pezullohet liberalizimi i vizave, po pritet edhe ikje e madhe e fuqisë punëtore, e cila do ta varfëronte edhe tregun e punës.

Kryetari i Aleancës Kosovare për Biznese, Agim Shahini, duke folur për “Gazeta Blic” në lidhje me këtë çështje tha se lëvizja e lirë pritet të ketë efekte negative në ekonominë e vendit.

Shahini deklaroi se vetëm në vitin e parë mbi 150 mijë persona pritet të largohen nga Kosova.

“Liberalizimi i vizave është i vonuar, por i mirëpritur. Lëvizja e lirë pritet të ketë efekte negative. Para disa javësh ka dalë një raport i UNDP-së ku thuhet se mbi 80% e qytetarëve janë të pakënaqur ekonomikisht në Kosovë dhe rrezikojmë të na ikin mbi 150 mijë veta në vitin e parë, ku mund të kthehen prej atyre rreth 30% që mesatarisht edhe sot kur po flasim nga Kosova ikin për çdo vit mbi 50 mijë punëtorë me dokumentacione dhe kontrata në mënyrë të rregullt”, deklaroi Shahini.

Ai tutje shtoi se gjetja e një vendi pune do të bëhet më e lehtë në Gjermani, pasi nga 1 dhjetori hyn në fuqi ligji i ri i punës në këtë shtet.

“Gjermania ka liberalizuar tregun e punës, nga 1 dhejtori ku secili qytetar i vendeve të Ballkanit Perëndimor që shkon në Gjermani si turist, nëse e gjen një vend të punës me automatizëm ndërmarrja dhe komuna mund të nënshkruajnë marrëveshjen për kontratë pa ndërmjetësim, pa askënd. Kjo do të mundësojë që qytetarët tanë të gjejnë punë më lehtë atje pa procedurat e ngarkuara dhe pa pritje të termineve dhe pagesat e larta që bëhen. Kjo do të varfërojë tregun e punës të Kosovës me njerëz momentalisht profesional, por më vonë edhe vitin e ardhshëm me njerëz që nuk kanë një profesion të caktuar, por janë fuqi punëtore që do të shitet lirë në Bashkimin Evropian për të siguruar një standard më të mirë për jetesë”, tha Shahini. /Demokracia.com/

Të ngjashme