Lajme
Kurti reklamoi konkursin e jashtëm për militantët, MINT nuk e bëri asnjë inspektorë të tregut me konkurs të brendshëm
Demokracia
15:00 | 05 Gusht 2023

Share:

Qeveria e Albin Kurti po vazhdon me përpjekjet e kapjes së çdo pozite në dikasteret qeveritare. Aferat korruptive, shkeljet e Kushtetutës, shkeljet e procedurave të punësimit, punësimi i militantëve e familjarëve, tashmë janë lajme të zakonshme që zënë ballinat e mediave.

Në konkursin e brendshëm për inspektor në MINT nuk kanë kaluar zyrtarë edhe me nga 10 e 15 vite përvojë, me qëllim të hapjes së konkursit të jashtëm për inspektorë të tregut, që aty t’i rehatojnë njerëzit e vet. Këtë konkurs e reklamoi ditë më parë edhe kryeministri Kurti, shkruan Demokracia.com.

“Pas konkursit për inspektorë shëndetësorë javën që lëmë pas, tani po e hapim konkursin për 27 inspektorë të rinj të tregut. 15 ka qenë numri i inspektorëve deri të tani. Me thirrjen që po e hapim sot, këtë numër po e ngrisim në 42, duke e rritur për gati 3-fish ose 180% numrin e përgjithshëm të inspektorëve të tregut. Angazhimi në fushën e inspektimit bartë përgjegjësi të lartë dhe kontribut të veçantë për vendin, prandaj i inkurajojmë të gjithë të interesuarit me kualifikimet e nevojshme që të aplikojnë.”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.

Ministria e Rozeta Hajdarit më 18 prill kishte njoftuar se ka përfunduar procedura e brendshme e konkurrimit pa kandidat.

“Bazuar në Ligjin Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik, Rregullores (QRK) me Nr.16.2020 për Pranimin dhe Karrierën në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, përfundon procedura e konkurrimit pa kandidat fitues, për (27) njëzet e shtatë pozitat Inspektor i Tregut, me RN00011072, lëvizje brenda kategorisë i shpallë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me datë: 01.03.2023.”, thuhej në njoftim.

Sipas punonjësve të kësaj ministrie, konkursi i brendshëm ishte vetëm sa për procedurë, pasi që nuk i kanë kaluar as njerëzit me përvojë të gjatë pune për t’i hapur rrugë “rehatimit” të militantëve partiakë përmes konkursit të jashtëm./Demokracia.com/

 

Të ngjashme