Vetëm nëntë ditë pas nënshkrimit të kontratës me lobistin KARV Communications, ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, ka nënshkruar kontratë me një tjetër lobist, kompaninë BGR Government Affairs, ku thuhet se Serbia, sipas kontratës, do t’i paguajë kësaj kompanie të paktën 600 000 dollarë në vit, pa llogaritur kostot shtesë.
Në emër të Qeverisë së Serbisë, Gjuriq ka angazhuar edhe këtë lobist nga Uashingtoni, saktëson portali Nova.rs dhe tregon se firma BGR do të punojë me një përfaqësues të ambasadës serbe, transmeton Demokracia.com.
Sipas dokumentacionit në të cilin kishte qasje portali Nova.rs, kjo kompani do të ofrojë shërbime PR dhe kontakte me Qeverinë, duke siguruar komunikim me zyrtarët përkatës, ata që marrin vendime dhe mediat në Amerikë.
“Natyra dhe mënyra e ekzekutimit të kontratës do të përfshijë menaxhimin strategjik dhe konsulencën dhe marrëdhëniet me publikun në SHBA. Kjo mund të përfshijë kontakte përkatëse me zyrtarë të qeverisë amerikane, organizata joqeveritare dhe media në SHBA. Gjithashtu, mund të përfshijë edhe shpërndarjen e materialit informativ”, thuhet në kontratë.
Gjithashtu u tha se BGR do të paguhet 50,000 dollarë në muaj, ose 600,000 dollarë në vit, për këto shërbime, duke filluar nga data 20 korrik 2023.
Siç pretendon portali Nova.rs, Ambasada e Serbisë si klient pajtohet që kjo tarifë të paguhet paraprakisht, me këste tre mujore.
Në kontratë thuhet se firmës lobuese do t’i paguhen shpenzime shtesë, si transporti dhe ushqimi.
Vlera e kontratës së parë me KARV, e cila është me afat prej një viti, por me mundësi vazhdimi, arrin në 60 mijë dollarë në muaj apo 720 mijë në vit. /Demokracia.com/
LEXONI EDHE:
Pronarja e kompanisë që u kontraktua për lobim në SHBA, shoqe e Donika Gërvallës e fanse e Kurtit