Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot drejt Greqisë, shtet ky që nuk e ka njohur Kosovën, për të marrë pjesë në simpoziumin e partive të majta të Evropës.
Sikur vitet e shkuara, ai nuk ka munguar as në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, për të cilin refuzoi ftesën e kryministrit shqiptar Edi Rama për të marrë pjesë në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, shkruan Demokracia.com.
Pas kthimit nga simpoziumi i vitit të kaluar, Kurti deklaroi se aty kishte takuar rreth 30 biznesmenë të huaj, të cilët sipas tij do të investonin në Kosovë.
Por, qytetarët e Kosovës, nuk panë asnjë investim nga takimet e “frytshme” të Kurtit. Ai kishte thënë se përpjekjet më të mëdha që i bën janë jopublike dhe janë në fushën e investimeve të huaja.
Ai thoshte se takimet për investime në pjesën më të madhe të tyre nuk i bën as me “tupan” e as me “vuvuzela”, pasi sipas tij është e dëmshme.
“Kam takuar afër 30 biznesmenë të ndryshëm për çështjen e investimeve në Kosovë. Këta biznesmenë nuk kanë qenë të gjithë grekë, një pjesë kanë qenë evropianë e amerikanë të cilët janë në Greqi tashmë. Përpjekjet më të mëdha që i bëjë dhe jopublike janë në fushën e investimeve të huaja. Pra sa më shumë ta paraqes Kosovën si një vend atraktiv për investime, por këto takime në pjesën më të madhe të tyre nuk i bëjë as me ‘tupan’ as me ‘vuvuzela’ për shkak se është e dëmshme”, kishte deklaruar Kurti.
Sipas tij, Greqia ka avancuar në diskursin në raport në Kosovën.
“… Prandaj edhe më shumë mund të them sesa për takime politike për çështjen e investimeve e kam shfrytëzuar këtë qëndrim në Greqi në këto dy konferenca. Unë besojë që Greqia ka avancuar në diskurs por sa jemi afër ditës kur edhe Greqia do t’i bashkëngjitet shumicës së vendeve të BE-së për ta njohur Kosovën nuk mund ta them tani”, tha Kurti.
Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-Kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit. Ky edicion i sivjetëm titullohet “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus” (Which World in 2030? Addressing the Icarus Syndrome).
Lexo edhe: