Lajme
‘Çka ka çka s’ka’| Kur VV e sulmonte opozitën përmes videove propaganduese për takimet me Radojçiqin
Demokracia
20:45 | 10 Korrik 2023

Share:

Një audio-incizim ku dërgjohet Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke biseduar me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, është publikuar sot. Në këtë audio-incizim, Simiq ia përmend Kusari-Lilës një bisedë që kjo e fundit e ka bërë me Milan Radojiçiqin – kriminelin serb nga veriu, që gjendet në listën e zezë të Amerikës, si i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i dyshuar për rastin Brezovica.

Takimet me Radojçiqin, partia në pushtet i ka përmendur disa herë për të goditur opozitën, muajve të kaluar.

Në një video të publikuar në janar të këtij viti të titulluar “Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”, Vetëvendosja kishte përfshirë edhe fotografinë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj me Radojçiqin, duke i vendosur mbishkrimin “Nuk ka mirëpritje të kriminelëve serb në zyrën e kryeministrit”.

Në të njëjtën video thuhej edhe se Lista Serbe nuk ka më fuqi për të kushtëzuar Qeverinë.

Ndryshe, në audio-incizimin e publikuar nga Nacionale, Simiq ia përmend Kusari-Lilës një bisedë që kjo e fundit e ka bërë me Milan Radojiçiqin, që ai thotë të ketë zgjatur 30-40 minuta.

Aty dëgjohet duke ndërhyrë Kusari-Lila, duke thënë “Dy tre minuta”.

Slavko Simiq dëgjohet teksa i thotë Kusari-Lilës se ne që nga fillimi kanë pasur raport partnerësh me të. Këtë, shefja e deputetëve të VV-së nuk e mohon.

“Ti e din që prej fillimit që e kemi pasë një raport partnerësh…, e tash ti mu po më pyet për këtë ligj kur na kena probleme më të mëdhaja”, dëgjohet duke thënë Simiq.

“E di Slavko, e di, ama tash krejt këto pika që janë në agjendë e ato nuk mund të hjekën nëse ne nuk votojmë ashtu siç kemi folë ose nëse qeveria nuk tërhiqet…”, është përgjigja e Kusarit.

Vetë Kusari-Lila tha se kontakti me ish-deputetin ka qenë në suaza të normales dhe se është biseduar për votimin e tri projektligje; Ligji për Festa Zyrtare, Ligji për Liritë Fetare dhe Ligji për Vetëqeverisjen Lokale.

Ajo ka mohuar se ka pasur kontakt me dikë tjetër nga kjo Listë, përveç me Igor Simiq dhe Slavko Simiqin.

“Unë nuk kam as numër, as komunikim me Milan Radoiçiqin. Unë i përmenda, kanë qenë dy përfaqësues këtu që ishin, përderisa gjatë gjithë kohës i kam refuzuar dhe i kam rezistuar komunikimit me të dhe komunikimi çfarë kanë pasur Lista serbe me Milan Radojçiqin është çështje e tyre, e kanë nënkryetar, ai dihet se si është dhe në Qeverinë Kurti është kthyer aktakuza dhe është kthyer urdhërarresti, prandaj edhe në momentin që do të zihet ai do të arrestohet. Prandaj nuk ka ndonjë hapësirë për ndonjë komunikim tjetër në raport me këtë person”, tha ajo.

Disa orë më vonë, tha se ka qenë prezente në një moment kur Slavko Simiq në zyrën e saj flet me Milan Radojiçiqin, por ajo thotë se Simiq e kishte lëshuar telefonin e tij në “speaker phone”.

“Kam qenë prezente, ku Slavko Simiq bisedon me Radojiciq, ka qenë në zyrën time, dhe e lëshon telefonin në “speaker phone”, kaq ka qenë. Diskutimi ka qenë në gjuhen shqipe për çështjen e vendosjes së institucioneve të Kosovës në veri për domosdoshmërinë e shkuarjes në Valaq, dhe natyrisht që kam dëgjuar prej anës së tij se është i pakënaqura me çka po ndodhë”, tha Kusari-Lila, e cila gjatë ditës tha se as nuk ia kishte numrin e s’kishte kurrfarë kontakti me Milan Radojiçiqin.

Të ngjashme