Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mbrojtur vendimin për ta armatosur Ukrainën me raketa thërrmuese.
Vendimi është marrë pak ditë para se të mbahet samiti i NATO-s në Lituani.
Në këtë samit, Bideni me gjasë do të pyetet nga aleatët se përse SHBA-ja do t’ia ofrojë Ukrainës raketat, të cilat i kanë ndaluar dy të tretat e vendeve anëtare të NATO-s, për shkak se ka të dhëna se kanë shkaktuar vdekje të civilëve.
Bideni ka thënë se ka pranuar rekomandimet e Departamentit të Mbrojtjes për ta armatosur Ukrainën me këto raketa.
Ai ka thënë se ukrainasit janë duke mbetur pa municion dhe raketat thërrmuese do të jenë ndihmë e përkohshme për të ndalur tanket ruse.
Këto raketa hapen në ajër dhe lëshojnë një grumbull raketash më të vogla drejt cakut.
SHBA-ja këto raketa i sheh si ndihmë vendimtare për Kievin që të forcojë sulmin ndaj forcave ruse.