Lajme
Zyrtari i lartë i NATO-s: Situata në veri rrezikon krejt popullin e Kosovës
Demokracia
11:10 | 06 Korrik 2023

Share:

Kosova dhe Serbia nuk i kanë kushtuar vëmendje thirrjeve të ndërkombëtareve për të ndërmarrë hapa drejt deeskalimit të situatës në veri, e cila, po rrezikon sigurinë e të gjithë qytetarëve. Kjo është deklarata që ndihmës sekretari i përgjithshëm në NATO, Thomas Goffus, ua ka thënë gazetarëve në Prishtinë, gjatë vizitës së tij këtu, i cili po ashtu, foli edhe për mungesë të koordinimit me Qeverinë.

“Reuters” raporton se Goffus ka deklaruar se nuk është parë progres drejt deeskalimit.

“Kjo rrezikon sigurinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë, po ashtu, edhe të personelit të NATO-s.” – ka thënë ai.

Zyrtari i lartë i NATO-s ka treguar se 93 trupa paqruajtese të misionit të NATO-s në Kosovë, i njohur si KFOR, janë lënduar gjatë protestave në veri.

“Kjo është absolutisht e papranueshme dhe nuk mund të ndodhë sërish. NATO e ka bërë të ditur qartë këtë pozicion edhe te autoritetet serbe.” – është shprehur ai.

Aleatët më të mëdhenj të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, siç shkruan “Reuters”, kryesisht kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti për tensionet në veri, duke përfshirë vendosjen e kryetarëve nëpër objektet komunale.

“Fatkeqësisht, ne kemi parë një zbehje të koordinimit politik dhe praktik (me Kosovën). Kjo shkon kundër aspiratave evro-atlantike të popullit kosovar,” – tha Goffus.

Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe agresionin e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se nuk duhet të rrezikohet një konflikt tjetër në Evropë.

“Askush nuk duhet ta rrezikojë një tjetër konflikt në Evropë, që do minonte sigurinë dhe stabilitetin e fituar me shumë sakrificë.” – ka deklaruar ai tutje.

Ndërkohë, Goffus i cili qëndroi gjatë ditës së djeshme për vizitë në Kosovë, u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas komunikatës për media nga Zyra e Kryeministrit, Kurti citohet të ketë thënë se “është i angazhuar për deeskalim”.

“Ai e informoi z.Goffus për kornizën kohore të ngjarjeve nga 5 nëntori i vitit të kaluar kur dhanë dorëheqje të organizuar katër kryetarët në komunat në veri të Kosovës, dhe tha se është i angazhuar për de-eskalim dhe normalizim.” – thuhej në komunikatën e Qeverisë.

Por sipas Kurtit, “masat negative të vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës, kanë krijuar asimetri në dialog”.

Shefi i Qeverisë, sipas komunikatës, ka ngritur shqetësim për mungesën e qartësisë nga KFOR-i rreth rrëmbimit të tre ushtarëve, e po ashtu, ka përmendur edhe raportimet se nga ambulancat janë kontrabanduar armë në kishat ortodokse serbe.

Vlen të theksohet, se në lidhje me këtë çështje, KFOR-i deklaroi se prania ilegale e armëve ishte raportuar, mirëpo, pas hetimeve nuk ishte gjetur asnjë provë.

“Ngjarja e përmendur nga deputeti britanik i referohej 2022-ës kur Batalioni Mbretëror Fusilier ishte dërguar në veri të Kosovës në mbështetje të Misionit të KFOR-it”, thuhet në deklaratën e KFOR-it. Prania ilegale e supozuar e armëve ishte raportuar në selinë e KFOR-it, mirëpo pas hetimeve të mëtutjeshme në mënyrë që të ketë konfirmim, asnjë provë nuk ka dalë nga ajo që është raportuar.” – thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Për fund, në komunikatën e Qeverisë, nuk është bërë e ditur se çfarë ka deklaruar zyrtari i lartë i NATO-s në takim.

Të ngjashme