Lajme
Disa qytete në Kosovë pa ujë të pijshëm, nga Ujësjellësi sqarojnë gjithçka
Demokracia
17:11 | 27 Janar 2021

Share:

Për shkak të reshjeve të shumta gjatë ditëve të fundit, në vendin tonë ka pasur turbullira në kanalin e Ibër Lepencit duke shkaktuar kështu mungesë të ujit të pijes në disa qytete të Kosovës.

Lidhur me këtë, Demokracia.com ka kontaktuar kryeshefin ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellsit KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa.

“Për shkak të situatës së krijuar së fundmi nga niveli i lartë i turbullirës në kanalin e Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për tu trajtuar pastaj për pije (ITUP Shkabaj/ që si pasojë është jashtë funksionit), e kemi pasë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë.”, tha Xhafa.

Ai ka sqaruar se për shkak të problemit me turbullirë në kanalin e Ibrit prej nga furnizohen, Fushë Kosova, Obiliqi, Drenasi dhe lagjja “ Kalabria” në Prishtinë, ka pasur reduktime.

“Sot, gjendjen e kemi më stabile, pasi që nga linja e Batllavës po e furnizojmë rezervuarin në Shkabaj, prej të cilit shpërndahet uji në Fushë Kosovë dhe Kalabri”, tha Xhafa.

Nga KRU “Prishtina”, bëjnë me dije për Demokracia.com se përveç aspektit natyror nuk ka ndonjë arsye tjetër që ndërlidhet me situatën e krijuar së fundmi dhe dëmtime të tjera si ato teknike nuk kemi pasë, por problemi ka qenë i fokusuar në kanalin e Ibrit.

“Sigurisht rritja e kërkesës për ujë si shkak i rritjes së numrit të banorëve në zonën e Prishtinës, ka bërë që disa zona të jenë më të prekura si pasoje e koncentrimit me te madh te banoreve. Mirëpo reduktimet vijnë si pasoje e ndërtimeve dhe mos përcjelljes me infrastrukturë nga niveli lokal komunal, ndërsa aktualisht problematike e vetme është turbullira e madhe në burime të ujit.”, tha Xhafa për Demokracia.com

Ai shtoi se veprimet e menaxhmentit karshi situatës së krijuar në përmirësimin e gjendjes, janë të pashmangshme.

Vlen të theksohet se Fushë-Kosova, Obiliqi, Drenasi dhe disa lagje në Prishtinë përgjatë ditëve të kaluara nuk janë furnizuar me ujë, pikërisht për shkak të turbullirave.

Këto të fundit, erdhën si pasojë e reshjeve të shumta të shiut gjatë javëve të fundit në vendin tonë./Demokracia.com

 

 

 

 

 

 

Të ngjashme