Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) sot me anë të një vendimi të ri ka anuluar vendimi i një dite më parë, i cili anulonte vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova Sh.P.K.
Në këtë vendim, theksohet se ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Pranvera Prestreshi është zënë nën rrethana të konfliktit të interesit, meqë ka familjar një avokat që, sipas ARBK-së, punon për Klan Kosova, fakt i cili nuk qëndron.
Sipas informatave nga media tjera, znj. Prestreshi është shkarkuar nga pozita e u.d. drejtoreshës, kurse në vend të saj është emëruar znj. Lebibe Haliti, që është motra e deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Enver Haliti.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar njohësi i çështjeve juridike Ehat Miftaraj nëpërmjet një postimi në Facebook duke thënë se gjendja aktuale është “anarki, pasiguri juridike, padrejtësi ne emër të ligjit”.
Miftaraj referuar informacioneve të publikuara nga Klan Kosova ku thuhet se është shkarkuar U.D e drejtoreshës së ARBK-së dhe në vendin e saj është caktuar motra e deputetit të VV-së, Enver Halitit.
“Shkarkohet nje grua afer pensionimit ne menyre arbirtrare. Caktohet motra e deputetit ne pozite dhe anulon nje vendim te ligjshem dhe vendos padrejtesi me nje vendim tjeter. Anarki, pasiguri juridike, padrejtesi ne emer te ligjit.”, tha Miftaraj.
Vendimi ka edhe këshillën juridike, në të cilën thuhet se “pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në Komisionin për Shqytimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të Vendimit”.