Lajme
“Serbia t’i dorëzojë kriminelët e luftës” | Haxhiu mjaftohet me thirrje, Kurti shkeli premtimin për kushtëzim të dialogut
Demokracia
16:05 | 19 Qershor 2023

Share:

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës Seksuale në Konflikt, ministrja Albulena Haxhiu tha se bota duhet të flasë edhe më shumë për dhunimet që u janë shkaktuar popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.

Haxhiu ka shkruar se duhet zëshëm t’i kërkohet Serbisë t’i dorëzojë kriminelët e luftës, “që po mbahen në Serbi”.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt, bota duhet të flas edhe më shumë për dhunimet që u shkaktuan ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, e madje zëshëm duhet t’i kërkohet Serbisë t’i dorëzojë kriminelët e luftës që po mbahen në Serbi. Serbia është adresa ku duhet drejtuar thirrja për drejtësi, nga bota demokratike që ka për bazë lirinë dhe të drejtat e njeriut”, tha Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë u shpreh se rreth 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës nuk mund as të harrohen dhe as të falen.

“Do të punojmë çdo ditë që kriminelët të dalin para drejtësisë”, shtoi ajo, përcjell Demokracia.com.

Si Ministre e Drejtësisë, Haxhiu u mjaftua me një deklaratë në Facebook, njëjtë si shefi i saj Albin Kurti, i cili sa ishte në opozitë thoshte që nuk duhet të shkohet në dialog me Serbinë pa i plotësuar disa kushte. Njëri prej kushteve të Kurtit ishte që Serbia t’i dorëzojë kriminelët e luftës, shkruan Demokracia.com.

Por, kur erdhi në pushtet, Kurti dhe partia e tij e shkelën këtë premtim.

“Kushi i tretë dhe i drejtësisë, me na i dorëzua ata mijëra kriminelë që kanë bërë vrasjet, dhunimet dhe torturat në Kosovë”, thoshte ai.

Në këtë video mund ta shikoni Kurtin, duke i renditur kushtet që i harroi sapo erdhi në pushtet:

 

Të ngjashme