Eris Bleta i cili u punësua në nja nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë ‘Cisco’, tregon për jetën dhe punën e tij në SHBA.
Eris Bleta tash e gjashtë vite la punën dhe jetën që bëNte në Shqipëri për të jetuar në SHBA ku nisi gjithçka nga zero.
Ai kishte punuar si dizajner grafik në gazeta të ndryshme të Shqipërisë, ndërsa më pas ishte futur edhe në fushën e IT, shkruan Demokracia.com.
Ai tani është pjesë e një prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë ‘Cisco’, por rrugëtimi për të mbërritur deri aty ku është sot nuk ka qenë fare i lehtë.
Në një intervistë për gazetën Diaspora Shqiptare, ai tregon për punën, jetën dhe historinë e tij të emigrimit ku thotë se nuk ishte aspak e lehtë.
“Vendimi për të emigruar edhe kur bëhet fjalë për SHBA ishte shumë i vështirë, sepse ti heq dorë nga gjithçka, familja, miqësia, shoqëria, karriera, kolegët dhe çdo pjesë tjetër të përditshmërisë tënde. Ndryshimi ishte i madh, ti përballesh me një botë, kulturë, mënyrë të jetuari krejt ndryshe. Ti e fillon nga 0 në gjithë kuptimin e fjalës, ke vetëm ca rroba trupi dhe shumë pak para që mund të kesh sjellë nga Shqipëria”, është shprehur Bleta.
Erisi gjithashtu tregon për vështirësitë në të cilat hasi gjatë rrugëtimit drejt punës së ëndrrave.
“Njoh shumë njerëz në Shqipëri që thonë “po pse o për 5 mijë lekë do punoj unë”. Unë jam rritur me shprehjen puna është nder nuk është turp, gjyshi im ma thoshte shpesh këtë. Punët e mia të para këtu në SHBA nuk mund t’i quaj të rëndomta por që paguheshin pak, por kjo s’më ka penguar aspak të përqendrohem në synimet dhe profesionin tim. Shumë shpejt e kuptova që kontaktet janë shumë të rëndësishme këtu, kështu që fillova t’i ndërtoja ato, punoja, ndërroja punët në mundësinë e parë që e shikoja që puna tjetër më afronte më shumë me profesionin tim. Por edhe kam studiuar shumë, falë Zotit jetojmë në një kohë teknologjie ku informacioni është falas në të shumtën e rasteve dhe shumë i lehtë për t’u aksesuar. Me dhimbje mund ta them që në Shqipëri është më e vështirë të ecësh përpara në profesionin që do kjo për shumë arsye”, ka thënë ai.
Ai tregon se ndihet shumë me fat që është pjesë e kompanisë ‘Cisco’.
“Të jesh pjesë e kësaj kompanie është nder e privilegj dhe megjithëse kam punuar shumë për t’iu bashkuar Cisco-s përsëri e ndiej veten shumë me fat pasi edhe konkurenca është e madhe. Ishte një “Dream Job” për mua dhe shumë shpesh mendoja se do ngelej thjesht një ëndërr”, tha ai.
Në fund ai ka një mesazh për të gjithë të rinjtë duke iu thënë që të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre, dhe të punojnë fort që të arrijnë atë çfarë dëshirojnë. /Demokracia.com/