Kryetari i Partisë demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës që të bëhen bashkë dhe të shkojnë të qëndrojnë në zyrat e komunave veriore të Kosovës.
“Pse po insiston mi çu tre njerëz që jetojnë në pjesën veriore. Hajde shkojmë bashkë në veri. Hymë bashkë në zyre, rrijmë me ta qaty. Boll u bë me këtë propagandë. Nëse të ka mbet merak zjarri të kaluarës. Njerëzve u duhet qetësi, paqe veç nëse ti ke qëllime të tjera.”, tha Krasniqi.
Ai po ashtu i përmendi edhe ndëshkimet amerikane.
Krasniqi e komentoi edhe deklaratën e Kurtit i cili tha se nuk i ka befasuar aleatët ndërkombëtar.
“Nëse ti po e thua të vërtetën, atëherë i madh e i vogël po gënjejmë, prej ambasadorëve e deri te sekretari i shtetit.”, tha ai.
Krasniqi u shpreh se po të mos ishte SHBA, Kurti nuk do të mund të shkonte as në zyrën e tij.
Ai ndër të tjera tha se me Kurtin kryeministër, ne po jetojmë nga kriza në krizë, dhe po kemi vetëm telashe me partnerët kryesorë të Kosovës.
Krasniqi për sanksionet e SHBA-së ndaj Kosovës, përjashtimin nga NATO nga ushtrimet ushtarake të saj, tha se ne në këtë gjendje nuk jemi më Sovran.
“Kjo s’është kriza e parë. Ne po jetojmë nga kriza në krizë. Me Albin Kurtin kryeministër në raport me partnerët kryesorë të Kosovës ne kemi vetëm telashe. Vetë kriza. Që nga viti i kaluar. Nuk funksionon aleanca kështu. Nuk funksionon një shtet i pavarur që dëshiron me pasë një perspektivë euro-atlantike. Sepse, rrezikohet kjo perspektivë. Sanksionet ndaj Kosovës janë shqetësim për çdo qytetar. Nuk jemi më sovran kur na përjashton NATO nga ushtrimet ushtarake të saj. Nuk mund të reduktohet sovraniteti prej një njeriu i cili instition me hy në tri zyre të caktuara”- shtoi Krasniqi.
Ai tha se Kurti është konfrontuar me tërë botën, e e ka rrezikuar sigurinë, dhe shtoi se, sipas tij, përgjigjja e tij ndaj gjithë këtyre problemeve që janë shkaktuar do të tjetër tërheqja.
“E ftoj kryeministrin të na tregoj pse nuk po e çon Kryetarin e Mitrovicës së Veriut në zyret komunale. Ai është njëjtë në zyret dytësore, siç është edhe Kryetari i Zveçanit dhe Zubin Potokut. E kanë ngujuar atje një Kryetar të Leposaviçit, çfarë pune është duke bërë ai. Është konfrontu me tërë botën, e ka shkaktu një krizë, e ka rreziku sigurinë, e ka sjellë një kundërreagim kriminal nga ana e Serbisë, me banda të cilat janë duke mbajtë peng të gjithë qytetarët, nga të gjitha komunitetet. Dhe, cila është përgjigja e tij? Përgjigja e tij ka me qenë tërheqja’’- tha Krasniqi.