Të enjten e 25 prillit do të betohen edhe tre kryetarët të zgjedhur së fundmi në komunat në veri të Kosovës.
Kryetarët e rinj nga radhët e PDK-së, në Zubin Potok e Zveçan do ta bëjnë betimin në vende të ndryshme.
Se ku do ta kryejnë seancën e betimit dhe a kanë përfunduar me përgatitjet, ka kontaktuar dy kryetarët për më shumë detaje.
Ilir Peci, kryetari i sapo zgjedhur i Zubin Potokut ka thënë se seanca do të mbahet në kullën e Isa Boletinit.
Ai tha se nuk pret ndonjë incident nga serbët nesër.
Sipas tij, siguria nga ana e policisë është në nivelin e duhur.
“I kemi edhe disa përgatitje por të mëdhatë kanë përfunduar. Çdo gjë presim që do të jetë në rregull pa incidente edhe sigurinë e ka policia në nivelin e duhur ku shpresojmë të kalojmë mirë. Seanca e betimit do të mbahet në kullën e Isa Boletinit në Boletin”, u shpreh Peci.
Njëjtë si Peci, edhe kryetari i Zveçanit, Imer Zeqiri është shprehur optimist për mbarëvajtjen e betimit për të enjten.
Zeqiri tha se seanca e betimit do të mbahet në Çabër.
Ai thotë se të gjitha përgatitjet kanë përfunduar.
“Po janë bërë të gjitha përgatitjet, por jemi akoma duke i finalizuar disa. Nuk besoj që ka me pas incidente gjithçka do të shkojë në rregull. Seanca do të mbahet në zyrat komunale në Çabër në orën 10:00”, u shpreh Zeqiri.
Njohësi i sigurisë për betimi e kryetarëve të veriut: Të enjten mund të përballën me incidente nga serbët
Ndryshe nga kryetarët e sapo zgjedhur të veriut, njohësi i sigurisë, Fadil Kajtazi ka parashikime tjera.
Kajtazi po thotë se gjasat janë të mëdha për incidente nesër në vëri.
Ai tha se ndërkombëtarët duhet të bëjnë presion për shtetin serb, t’i parandalojnë problemet.
“Mundësia për me pas nesër incidente është e madhe sepse është një prezencë e madhe e shtetit serb atje e shërbimeve të tyre inteligjentë të cilët e kanë atë mundësi për me shkaktuar probleme. Problemet parandalohen nga një presion i ndërkombëtarëve të cilët duhet ta ushqejnë mbi Vuçiqin, se çelësi i problemeve atje është shteti serb”, u shpreh Kajtazi.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke ndjekur nga afër zhvillimet në veri të Kosovës përmes pranisë së njësisë së saj të formuar policore dhe njësisë policore të formuara rezervë.
Ata në një përgjigje dhënë për Front Online kanë thënë se këtë monitorim po e bëjnë në koordinim me këshilltarët e tyre të lartë policor dhe stafit tjetër të pranishëm në zonë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
Niveli i gatishmërisë është rritur me rastin e betimit të kryetarëve të rinj të zgjedhur në katër komunat e veriut të Kosovës.
Nga EULEX-i thonë se janë në gatishmëri 24 orë për të reaguar nëse është nevoja.
“Përveç kësaj, një Forcë e Reagimit të Shpejtë është në gatishmëri 24 orë në ditë në Mitrovicë, me kohë shumë të shkurtër reagimi. Duke marrë parasysh ceremoninë e betimit, EULEX-i ka rritur nivelin e gatishmërisë së tij”, kanë thënë nga EULEX-i.
Nga ky mision kanë thënë se janë të gatshëm ta mbështesin Policinë e Kosovë, nëse kjo nevojitet ose kërkohet.
“Njësia e Formuar Policore e Misionit dhe Njësia Policore e Formuar Rezervë janë të gatshme të mbështesin Policinë e Kosovës si reagues i dytë i sigurisë, nëse kërkohet dhe nëse nevojitet, në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj”, thuhet më tej në përgjigjen e EULEX-it.
Zgjedhjet në Veri u mbajtën më 23 prill, ndërsa rezultatet u certifikuan më 28 prill, kështu 28 maji u vendos si afati i fundit për ta dhënë betimin.
Kryeministri Albin Kurti sot ka folur për zgjedhjet e fundit në katër komunat veriore dhe betimin e kryetarëve të rinj.
Ai tha se nesër në ndërtesat publike të këtyre komunave do të bëhet edhe betimi i kryetarëve të rinj që kanë mbetur pa e kryer këtë procedurë.
Kurti theksoi se kjo nuk është zgjedhje, por obligim i tyre dhe se është normale pas një procesi zgjedhor.
Ndërsa, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se zgjedhjet që u mbajtën më 23 prill në katër komunat veriore ishin konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë.
Ai tha se kryetarët e rinj të komunave në Veri duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur.