Të gjithë kandidatët e përzgjedhur për të shërbyer në Forcën e Sigurisë së Kosovës, tash e tutje duhet ta kalojnë edhe verifikimin e pastërtisë së figurës.
Filtrimi i figurave që duan të shërbejnë në ushtrinë e Kosovës po synohet të bëhet përmes një rregulloreje, e cila së fundmi është hartuar nga Ministria e Mbrojtjes, shkruan Demokracia.com.
Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave për shqyrtimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët e përzgjedhur për të shërbyer në FSK.
Shqyrtimi i pastërtisë së figurës nënkupton tërësinë e procedurave të ndërmarra nga strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK për vlerësimin e kritereve të përshtatshmërisë së personit në shërbim.
“Pastërtia e figurës është faza e fundit e procesit të rekrutimit për shërbim në FSK”, thuhet në këtë rregullore, përcjell Demokracia.com.
Kërkesa për verifikimin e pastërtisë do u adresohet Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Policisë së Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Nuk konsiderohet me figurë të pastër një kandidat që është përfshirë në veprat/sjelljet si në abuzim me lëndë narkotike, recidivistë i dy apo më shumë veprave, kryerje të veprave penale para moshës 18 vjeçare sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur dhe pas moshës 18-vjeçare, që bien në kundërshtim me parimet, vlerat dhe standardet e Etikës në FSK.
Ata, po ashtu, nuk duhet të kenë qenë të dënuar për vepra penale, me vendim të formës së prerë. /Demokracia.com/