Lajme
DOKUMENT| Kurti ia shton presionin Prokurorisë, ministrive u kërkon raporte për kallëzimet e dorëzuara penale
Demokracia
22:07 | 17 Maj 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti po e vazhdon presionin dhe garën me prokurorinë dhe policinë për dërgimin e kallëzimeve penale.

Shefi i ekzekutivit është treguar i ashpër në shumë raste, madje edhe kërcënues ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë. Luftën e madhe, Kurti e ka me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, kandidatin e vetëm për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn. Ky i fundit, siç u raportua, inicioi arrestimin e ish-kryeshefit të KEK-ut, njeriut të Kurtit, Nagip Krasniqin, i akuzuar për korrupsion milionësh.

Për ta vazhduar luftën me Prokurorinë dhe presionin ndaj organit të akuzës, Kurti e ka ngarkuar stafin e tij të evidentojë rastet dhe përgatisin raporte për kallëzimet penale që i kanë bërë vartësit e tij të ekzekutivit.

Demokracia.com e ka siguruar një e-mail që një zyrtare e Kryeministrisë, Arlinda Berisha, ua ka dërguar shefave të kabineteve të ministrave.

Berisha, e cila është asistente ekzekutive e shefit të stafit të Kurtit, ka kërkuar raport për kallëzimet penale dhe rastet e dërguara në Prokurori dhe Polici.

Ajo iu kishte dhënë afat kolegëve të saj që tabela me raport të dorëzohet deri më 9 maj, e martë.

Presioni dhe mllefi i Kurtit ndaj Prokurorisë Speciale, respektivisht titullarit Blerim Isufaj, u shpërfaq brutalisht gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, tri javë më parë.

Kurti gjatë asaj seance, në një moment e mori kompetencën e presidentes Osmani, duke thënë se Blerim Isufaj nuk do të mund të bëhet Kryeprokuror.

“Unë nuk kam dyshim që prokurorinë e shtetit dhe atë sa më larg aq më shumë ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vete ndaj meje, si kryeministër, por ndaj qeverisjen tonë, ndaj pushteti të ri të dal nga 14 shkurti 2021. Kjo lidhet me shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufajt”, tha Kurti.

“Bëhet fjalë për një prokuror, i cili është mirënjohur në skenën tonë publike që rastin e vrasjes sërish shefit të AKP, Dino Hasanajt e ka kategorizoj në vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish drejtorit të informimit në kryeministri Hamdi Sopa e shndërroi në vrasje. Njëkohësisht bëhet fjala për një prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të behet kryeprokuror”, tha Kurti.

Madje, Kurti kërcënoi edhe hapur Isufajn.

“Por, nuk do të mundet (të bëhet kryeprokuror). Sepse, këtu ka republikë dhe popull”, tha ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme