“Me armikun u rroke përherë fytafyt, që nesër të lindë dielli nga balli yt”, ky është mbishkrimi mbi varrin e veprimtarit të çështjes kombëtare, Hajriz Metaj, i cili para 31 vjetësh ndërroi jetë nga plumbat e marrë nga milicisë serbe.
Hajriz Metaj sot është kujtuar nga familjarët e tij.
“I kobshëm ishte 28 prilli i vitit 1992 kur nga ne u nda daja Hajriz Metaj, patriot i dëshmuar ndër vite. Dy ditë para se të ndërronte jetë, ai kishte marrë plagë të rënda që rezultuan të jenë fatale. Në atë kohë, ai ishte Kryetar i Këshillit për Informim në Lidhjen Demokratike në Rakosh. Sot, me krenari mban emrin e tij edhe një rrugë në fshatin Kërrninë. Daja Hajriz jeton përherë në zemrat tona!”, shkroi nipi i tij, Hektor Beqiri.
Për plumbat mbi mbi ish-kryetarin e Këshillit për Informim të LDK-së në Rakosh, Hajriz Metaj, popullsia e atij rajoni e kishte akuzuar si urdhërdhënës ish-komandantin e milicisë serbe në Rakosh, Zharko Zariqin.
Nën komandën Zharko Zariqit, më 31 janar 1992, milicia e stacionit të tij kishin tentuar të kidnapojnë edhe nxënësit e shkollës së fshatit Uçë, ku në mbrojtje të fëmijëve pranë oborrit të tyre ishin vrarë Muharrem Hysenaj, Bajram Hoxhaj dhe Hasan Hysenaj.
Po ashtu, nën komandantën e Zharko Zariqit, milicia e stacionit të Rakoshit, më 25 prill 1992, rreth orës 17.30, kishin plagosur për vdekje Hajriz Metajn nga fshati Kërrninë.
Hajrizi nga plagët e marra kishte vdekur dy ditë më pas dhe ishte varrosur më 28 prill 1992. Në vitin 1999, nën komandën e Zharko Zariqit thuhet se ishte kryer edhe masakra në familjen Imeraj.
Zharko Zariq nga Istogu ishte arrestuar në fshatin Lubozhdë para tre vitesh, pas kthimit të tij në Kosovë, nën dyshimin se ai kishte kryer krime lufte.
Zariq ishte marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme të Krimeve të Luftës në Prishtinë, por në orët e pasditës ai ishte lënë i lirë.