Presidentja Osmani vazhdon ta godas Serbinë… përmes marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër. Shefi i stafit të saj vazhdon të shahet me zyrtarët serbë. Por, ku është në të vërtetë problemi?
Presidentja e vendit e akuzoi në mënyrë direkte e publike Serbinë se kishte ndërhyrë në zgjedhjet e Kosovës.
Por, edhe këtë akuzë ajo e bëri duke e përmendur marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.
Gjatë ditës së djeshme, ajo u fut në Twitter dhe i tha këto fjalë:
“Në më pak se 24 orë, Serbia ka kryer dy shkelje të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit:
Inferencë e huaj në zgjedhjet e Kosovës (në shkelje të nenit 2)
Lobim dhe votim kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (në shkelje të nenit 4).
Marrëveshje e re, por Serbi e vjetër.”
Rezultat i ‘margjinalizimit’?
Presidentja Osmani duket se është lënë e margjinalizuar në procesin e dialogut në kohën më të rëndësishme të tij kur po diskutohej për planin franko-gjerman që u shndërrua edhe në marrëveshje.
Për kohë të gjatë pas Ohrit, presidentja madje kishte mbetur pa fjalë. Në komentin e parë të bërë ajo do të shprehej çuditshëm duke mos folur për përmbjatjen e marrëveshjes por për Serbinë: ky shtet s’do të respektonte marrëveshjen, siç nuk kishte respektuar marrëveshjet tjera për 12 vjet, shkruan Nacionale.
Në anën tjetër, bashkëpunëtorja e ngushtë politike dhe ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, kishte thënë se “s’ka ende marrëveshje” përkundër që kryeministri Kurti do ta thoshte të kundërtën.
Në anën tjetër, në komentin më përmbajtësor të për marrëveshjen, presidentja Osmani do të shprehej “absolutisht e zhgënjyer” që në marrëveshje nuk kishte njohje reciproke.
“Jemi absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk u përfshi në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje, sepse kjo është mënyra e vetme që mund të sjell paqe dhe stabilitet jetëgjatë në rajon.” – kishte thënë ajo për The Sun.
Procesi
Ndërkohë që Osmani vazhdon të ngulmojë që Serbia nuk po respekton marrëveshjet, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në procesin e dialogut.
Të martën e ardhshme, më 2 maj, kryeministri Kurti do të zhvillojë një takim tjetër të nivelit të lartë në Bruksel me presidentin serb Vuçiq.
Në anën tjetër, Kosova ka pranuar që të përfaqësohet edhe në Komitetin e Përbashkët Monitorues që do të kryesohet nga BE-ja. Është ky komitet që do të mbikëqyr zbatimin apo mos-zbatimin e marrëveshjeve dhe jo presidentja Osmani.
Nuk dihet nëse kryeministri Kurti vazhdon të koordinohet me presidenten Osmani para vendimeve të rëndësishme në procesin e dialogut. Sidoqoftë, dihet se në publik ajo dhe bashkëpunëtorët e saj nuk kanë pasur rol aktiv në këtë proces.
Një deriçkë për t’u kthyer në lojë?
Duket se Presidenca të gjitha ‘kartat’ për ta rikthyer presidenten Osmani në protagoniste të këtij procesi i ka vënë te dështimi i marrëveshjes me Serbinë për shkak të Serbisë.
Shefi i stafit të Presidentes, Blerim Vela, gjatë mëngjesit të sotëm i tha përfaqësuesit të Serbisë në Komitetin e Përbashkët Monitorues “mos leh”, e më parë i kishte thënë edhe “kokë-krisur”. Presidentin serb Vuçiq e kishte quajtur “mbret të çmendur”.
Shumica dërmuese e postimeve të z. Vela në Twitter janë për Serbinë, të paktën që nga 18 marsi kur ishte arritur marrëveshja e Ohrit.
Në tjetrën anë, nga Kryeministria e Kosovës nuk është parë një gjuhë e tillë ndaj liderëve serbë.
Por, a do të kthehet Vjosa Osmani në lojë apo roli i saj do të shkojë duke u zbehur edhe më tej? Takimi i 2 majit mund të jetë i rëndësishëm edhe për këtë ‘dramë politike’.