Në komunat veriore sot gjatë ditës janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme. Zgjedhjet përfunduan pa incidente dhe me pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të vendit për të votuar kanë dalë 1,567 qytetarë apo 3.47 për qind e votuesve.
Sipas KQZ-ës, të drejtë vote patën 45 mijë e 9 qytetarë.
Megjithatë, për pjesëmarrjen e ulët në këto zgjedhje deri më tani nuk është thënë as edhe një fjalë nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe as kryeministri Albin Kurti.
Osmani e Kurti kanë zgjedhur të heshtin duke mos e thënë as edhe një fjalë lidhur me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet e sotme, të mbajtura në katër komunat veriore.
Sipas rezultateve preliminare në zgjedhjet e parakohshme për kryetar komunash në pjesën veriore të Kosovës kanë fituar Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosej.
PDK ka fituar në komunën e Zubin Potokut dhe Zveçanit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje në Mitrovicë të veriut dhe Leposaviq. /Demokracia.com/