Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arianit Elshani ka thënë se nuk ka asnjë udhëzim që KQZ-ja iu ka dhënë KKZ-ve për moslejimin e xhirimit nga brenda qendrave të votimit dhe se mediave u lejohet xhirimi deri tek kabinat e votimit.
Ishte gazetarja e Dukagjinit Anduena Bajqinofci e cila raportoi se nuk iu lejua transmetimi nga brenda pikave të votimit ndërsa nga jashtë, lejohej me 5 metra distancë nga qendra.
Në një edicion special informativ të RTV Dukagjinit për zgjedhjet në Veri, Elshani ka thënë se një gjë e tillë është e papranueshme.
“Ajo që po ndodh është tërësisht e papranueshme, është në kundërshtim me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe në kundërshtim me rregullën që përcakton çështjen e monitorimit nga ana e vëzhguesëve medial të mediave sepse të gjithëve u lejohet hyrja dhe në këtë rast, mediave që të marrin pamjet e vendvotimit…Nuk ka udhëzim që KQZ-ja u ka dhënë KKZ-ve, tërësisht e pavërtetë dhe e papranueshme’, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Elshani ka thënë se mediave u lejohet të marrin pamje deri tek kabina e votimit.