Kryeministër, kryetar Kuvendi, ministër; në mbarë pozitat ekzekutive të ardhurit nga Lëvizja Vetëvendosje kanë precedent penal. Vetëvendosja, kjo vatër e aktakuzave, ka me precedent penal edhe në mesin e deputetëve të përzgjedhur në Kuvendin e Kosovës.
LVV-ja e ngjalli retorikën agresive në drejtim të organit akuzues – nga Albin Kurti, e deri tek Halil Thaçi, VV-ja nuk lanë gjë pa thënë për kandidatin për kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn, shkruan Demokracia.com.
Madje, Kurti teksa largonte mllefin për arrestimin e të përzgjedhurit e tij për KEK-un, Nagip Krasniqin, tha në Kuvendin e Kosovës se Isufaj s’do të bëhet kurrë kryeprokuror.
“Nagip Krasniqi është në burg. Dënim me vdekje në Kosovë nuk ka dhe ai me siguri e sheh në TV këtë gëzim opozitar për arrestimin e tij. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në Kuvend për njerëzit që janë në burg. Le t’i jepet fjala drejtësisë, le të shohim procedurat normale profesionale, mirëpo emri kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë është Blerim Isufaj. Ky është thelbi i çështjes, të tjerat janë pasoja. Nuk është e rastësishme që prokurorët që vrasjen e bëri vetëvrasje, e vetëvrasjen vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të Presidentes, krye parlamentarit, kryeministrit duan me patjetër të bëhen kryeprokuror, por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo sepse jam unë, jo sepse jeni ju. Në këtë shtet ka Republikë edhe popull”, deklaroi Kurti sot në Kuvend.
Por, a është Vetëvendosja e duhura që të rënkojë për punën e Prokurorisë?
Përgjigjen mund ta gjeni më poshtë, kur të mësohet për kuadrot me precedent penal përbrenda këtij subjekti politik.
Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, KQZ-ja ia pati ndaluar garimin në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-ës, për shkak se ishte i dënuar nga gjykata në tri vitet e fundit.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të cilit nuk po i del kohë të shkojë në gjykatë, ka aktakuzë aktive për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar.
Për të njëjtën akuzë gjykohen edhe tre ministra të kësaj Qeverie, të cilët kanë aktakuza aktive. Bëhet fjalë për Xhelal Sveçlën, Arbërie Nagavcin dhe Albulena Haxhiun.
Për mos-deklarim të pasurisë, ministrja e MINTI-t, Rozeta Hajdari u pati dënuar vjet nga Gjykata e Prishtinës me 700 euro.
Pasuria e aktakuzave nuk kufizohet vetëm me rolin ekzekutiv. Edhe tek legjislativi i VV-së, janë katër deputetë që akuzohen për “përdorim të armës” dhe “pengim të personit zyrtar”: Fitore Pacolli, Valon Ramadani, Jetmire Vrenezi dhe Drita Millaku.
Për aferën ‘Hidrocentralet’ aktakuzë aktive deri vonë ka pasur edhe Mimoza Kusari-Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Deri para dy vitesh, aktakuzë kishte edhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ai akuzohej për keqpërdorim të pozitës për kohën sa ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Çka thanë ‘të vegjlit’ e VV-së për Blerim Isufajn?
Halil Thaçi, deputet i LVV-së, ironizoi me rastin e arrestimit të Krasniqit, duke thënë se mund të ketë atentat ndaj tij, sepse “ka ndalë zhvatjen në KEK”, shkruan Demokracia.com.
“Është lajm i mirë kur dëgjova arrestimin e Drejtorit të Kek-ut, pasi gjithmonë jamë frigu se do të dëgjoj lajmin mbi atentatin e tij, duke e ditur se sa banditave ju ka ndalë zhvatjen e KEK-ut. Policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurin e tij , mbase atentatin ndaj tij mund të ndodhë edhe aty në mbajtje”, ka shkruar ai.
Thaçi, gjithsesi nuk duket se është personi i duhur të moralizojë kur vjen në shprehje KEK-u. Kushëriri i deputetit, Fatos Thaqi, ishte në mesin e 127 të punësuarve në një proces të dyshimtë rekrutues të KEK-ut, prillin e kaluar. Lidhjen familjare me Fatos Thaqin e kishte pohuar vetë ligjvënësi i Lëvizjes Vetëvendosje.
Edhe deputeti tjetër i VV-së, Arbër Rexhaj, ka shfrytëzuar rastin të sulmojë kandidatin për kryeprokuror.
“Kush është ky Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetëror (Presidentja, Kryeministri e Kryeparlamentari) e megjithatë don që me çdo kusht e për çfarëdo çmimi të bëhet Kryeprokuror?! Ai ka siklet të madh diku e mbështetje jo të vogël prej ndokujt”, ka shkruar Rexhaj.
Postimi i Rexhajt është pëlqyer nga sekretari organizativ i VV-së, Alim Rama.
Sulm direkt drejt Isufajt ka bërë edhe “masha e Kurtit”, Dejona Mihali. Ajo tentoi ta denigronte figurën e kandidatin për kryeprokuror, duke përmendur hetimet për aksionet politike të LVV-së.
“Vjet në këtë kohë bën shumë përpjekje. Shumë hetime, shumë vepra të vjetra të aksioneve tona politike, çdo deklaratë të vitit 2020 për ministrat e kthyen në hetim. Pas një viti prapë. Prokuroria Speciale e Blerim Isufajt në veprim”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
Mobilizimit të sulmit ndaj prokurorisë dhe mbrojtjes ndaj njerëzve të tyre u është bashkuar edhe Artan Abrashi. Deputeti i VV-së, subjekt politik ky që erdhi në pushtet me sloganin ‘Krejt dhe Drejt’, e ka parë arrestimin e Krasniqit si ‘hakmarrje’ nga ana e Isufajt.
“A po hakmerret ai që s’po arrin të bëhet kryeprokuror?”, ka shkruar Abrashi në ‘Facebook’.
Rasti të reagonte i erdhi edhe Adnan Rrustemit, i cili pati një rrëshqitje gjuhësore kur i tha Krasniqit “kryeshef i KEK-ut nga LVV”.
“Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV! Me porosi atëherë, me porosi gjithmonë, me porositës të njëjtë”, deklaroi ai. /Demokracia.com/