Ismet Kryeziu, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, ka thënë se shumica parlamentare që s’arrin t’i mbajë seancat e rregullta plenare të Kuvendit duhet të vetëdorëhiqet e t’i hapë rrugë legjitimitetit të ri politik.
Deklarata e tij të mërkurën erdhi pasi Kuvendi dështoi të mbajë sërish seancë plenare. Në reagimin në Parlament, kryeparlamentari Glauk Konjufca akuzoi deputetët duke i quajtur “të papërgjegjshëm” e duke thënë se “Me këtë sjellje të papërgjegjshme të deputetëve, kjo legjislaturë mendoj se nuk e meriton të vazhdojë”.
“Mirë e ka Kryetari i Kuvendit, por ai duhet ta fillojë këtë zhvillim politik!? Një shumicë parlamentare që nuk arrin të mbajë seanca të rregullta plenare për shkak të papërgjegjësisë së deputetëve, është më mirë të vetëdorëhiqet dhe t’i hapë rrugën një legjitimitet të ri politik”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Seancat parlamentare në shumë raste janë mbyllur në mungesë kuorumi.