Mbrëmë gazetari, Valon Syla është sulmuar nga tre persona, ku ka pësuar edhe lëndime të lehta në kokë.
Përpos sulmeve fizike gazetarët janë përballur edhe me sulme verbale.
Më 9 shkurt të vitit 2022 zëvendësi i lartë në ambasadën e Kosovës në Maqedoni të Veriut, Printon Sadriu njëherësh edhe bashkëshorti i Presidentes, Vjosa Osmani në një postim në profilin e tij në Twitter kishte thënë “Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë”.
Ky postim i tij, ku gazetarët i quan “ndërmarrjet të përbashkëta kriminale”, kishte bërë bujë të madhe.
“EFJ i bën thirrje Prindon Sadriut t’i ndalojë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve”, kishte shkruar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez.
Rreth një muaj pas deklaratës së Sadriut, gazetarët ishin bërë cak i sulmeve të Luan Dalipit, shefit të stafit të kryeministrit, Albin Kurti.
Dalipi në një postim të tij në rrjete sociale, mediat i kishte asociuar me “biznese kriminale”, madje edhe i kishte ftuar “qytetarët e dinjitetshëm” t’i bojktojnë ato, shkruan Insajderi.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës këtë qasje të Dalipit e kishte konsideruar si thirrje e hapur për linçim dhe vazhdimësi e sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikojnë direkt sigurinë e gazetarëve.
Më 8 korrik, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq kishte ofenduar gazetarin e RTK2, Bojan Tomic.
Në ditën e aksionit të Policisë në Komunën e Shtërpcës gazetari kishte pritur në radhë që të marrë një prononcim të kryetarit Jevtiq për aksionin, por ai kishte refuzuar duke e ofenduar gazetarin.
“Ti mos m’u drejto. Të gjithëve mund t’ju jap deklarata, vetëm ty jo. Ti nuk je gazetar, ti përhapë gënjeshtra dhe të pavërteta. Ti nuk je gazetar. Flas për të gjithë, por për ty jo”, citon Tomic të ketë thënë kryetari Jevtiq.
Një javë pas kësaj ngjarje, deputetja Fitore Pacolli nga foltorja e Kuvendi të Kosovës kishte kërkuar që të bëhej rregullimi qeveritar i mediave, sidomos atyre online.
“Çdo tentim i Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat është tentativë e papranueshme për të ndërhyrë në punën e tyre. Ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave”, thuhet në reagimin e përbashkët të AGK-së e Këshillit të Mediave të Shkruara.
Në fillim të shtatorit Elvis Hoxha e Hysamedin Feraj, ish-këshilltarë të Kryeministrit Kurti dhe Sadri Ramabaja, ish-asamblist i Vetëvendosjes, në mes tjerash kishin thënë “në mediat tona ka shumë që flasin serbisht në shqip”.