Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se deklarata e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, ku shprehet i shqetësuar për incidentin e ndodhur në veri, nuk është qortim ndaj Policisë së Kosovës, por ndaj krerëve të shtetit.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të nacionalitetit serb në Kosovë që të kenë besim tek institucionet e Kosovës, me theks te veçantë te Policia e Kosovës, raporton Paparaci.
Megjithatë, teksa ishte duke folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore që janë të parapara të mbahen më 23 prill, thotë se kryeministri Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po luajnë “lojëra të fëmijëve”.
“Qortimi amerikan nuk ishte për policinë, por për krerët e shtetit. U bëj thirrje qytetarëve serbë që të kenë besim në policinë e Kosovës”, tha ai në Klan Kosova.
Për Haradinajn, shteti i Kosovës “po bën hajgare” për punën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri.
“Si Kosovës po bëjmë hajgare me zgjedhjet në veri. Zgjedhjet në veri do të dështojnë përsëri. Veç diktaturat mbajnë zgjedhje në stacionet e policisë”, shtoi ai.
Haradinaj tha se shpreson që këtë dalje të madhe të serbëve në këto zgjedhje, ndonëse shprehet pesimist për një gjë të tillë.