Për disa mund të jetë makth të lahen në një kuti xhami të varur në 35 metra lartësi, por për disa të tjerë, është simbol i statusit shoqëror.
Pishina më e re dhe më luksoze në Londër është gati. E gjatë 25 metra, pishina transparente lidh dy prej qiellgërvishtësve më të rinj në Londër, të vendosur në lagjen “Nine Elms”. Atë mund ta përdorin vetëm banorët e dy kullave rezidenciale.
E vendosur pranë ambasadës amerikane në Londër, pishina është pa dyshim diamanti i një kompleksi që përveç apartamenteve do të përmbajë edhe bare, restorante dhe dyqane. Pishina është ndërtuar në Kolorado dhe ka udhëtuar për më shumë se 8 mijë kilometra për të mbërritur në “shtëpinë” e re. Ajo është 3 metra e thellë dhe mban rreth 375 mijë litra ujë, ndërsa vetë peshon rreth 50 tonë. Data zyrtare e hapjes është 19 maji, por disa modele kanë provuar ndjesinë e të notuarit në një pishinë të tillë, duke realizuar foto promocionale.
Në total, aty janë ndërtuar 2 mijë apartamente, me çmime që fillojnë nga mbi 1 milion euro për një apartament me dy dhoma dhe një kuzhinë.