Sport
Një rrëfim i padëgjuar më parë nga trajneri legjendar Ajet Shosholli, ai flet për Prishtinën e Vokrrit dhe Kosovën e tanishme
Demokracia
17:04 | 27 Prill 2021

Share:

Futbolli sot njeh shumë legjenda, madje ky epitet kohëve të fundit sikur e ka humbur edhe vlerën pasi po jepet  pa u analizuar shumë.
Megjithatë, Kosova i ka legjendat e veta të cilat kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë në futbollin tonë. Protagonisti ynë këtë herë është një legjendë e gjallë. I papërsëritshmi, trajneri i mirënjohur Ajet Shosholli, ka vendosur të rrëfejë gjithçka në karrierën e tij 62-vjeçare në futboll, shkruan Demokracia.com.

Kush është Ajet Shosholli? Pse vendosi ta lë karrierën si futbollist aktiv në moshë shumë të re? Çka e shtyri të bëhet trajner? Cila ishte skuadra e parë që drejtoi? Cili trajner i madh në ish-Jugosllavi i propozoi të punojë jashtë Kosovës? Kush janë futbollistët që sot cilësohen si legjenda dhe dolën nga dora e tij? Për këto dhe shumë gjera të tjera, Shosholli flet në një intervistë ekskluzive për Demokracia.com

Demokracia: Dimë shumë për karrierën tënde si trajner por shumë pak për karrierën si futbollist, cila ishte ajo?

Shosholli: Karrierën si futbollist e kam filluar në moshë të re si pionier te KF Trepça, duke qenë pjesë e të gjitha grupmoshave të reja deri te ekipi i seniorëve. Si junior i KF Trepça në vitin (1962 dhe 1963) kam luajtur për reprezentacionin e Kosovës U-19, në gjeneratë me Burim Hatipin, Luan  Prekazin, Refik Hydaverdi, Xhevdet Nishevcin dhe të tjerë.   Kam qenë pjese edhe e ekipit U-21.

Deri në vitin 1968 kam qenë pjesë e KF Trepça, por pasi që në ato kohëra te Trepça politika ka qenë e tillë, që shumë pak ju ka dhënë hapësirë futbollistëve shqiptarë, më së tepërmi kanë mund të luajnë një apo dy shqiptarë e shumë herë edhe asnjë. Në vitin 1968 për dy vite kam kaluar në KF Remont të Mitrovicës i cili bënte gara në ligën e parë të Kosovës dhe në moshë të re e mbarova karrierën si futbollist aktiv.

Demokracia: Saktësisht sivjet sa vite i bënë që je pjesë e futbollit shqiptar?

ShoshollI: Jam pjesë e futbollit shqiptar tash e 62 vite si futbollist dhe si trajner profesional.

Demokracia:  Padyshim jeni trajneri më i suksesshëm që njeh Republika e Kosovës, a e mban mend cila ka qenë dita jote e parë e punës së trajner?

ShoshollI: Po e mbaj në mend shumë mirë. Dita ime e parë si trajner ka qenë me 14.08.1973 në ekipin e Kosovës së Vushtrrisë e cila garonte në Ligën e Parë të Kosovës. Pra zejen e trajnerit e kam filluar në moshë shumë të re,  pikërisht në moshën 28-vjeçare, ku për dy vite isha trajner i Kosovës së Vushtrrisë deri në vitin 1975.

Prej vitit 1975 (si ish-futbollist i Trepçës) angazhohem si trajner në KF Trepça që garonte në Ligën e Dytë të ish-Jugosllavisë.  Vlen të theksohet se KF-Trepça ishte klubi i parë kosovar që në këtë vit (1975) angazhoi 5 trajnerë në marrëdhënie te përhershme të punës, ndër të cilit isha edhe unë.

Demokracia: Cili është suksesi më i madh në karrierën tënde?

Shosholli: Ndoshta është shumë e vështirë të përcaktohem se cili është suksesi më i madhe gjatë karrierës sime, por po i theksoj disa prej tyre:  Në vitin 1978, me 24 maj me Trepçën arritëm të kualifikohemi deri në finalen e madhe të Kupës së ish-Jugosllavisë. Në këtë finale të madhe luajtëm me ekipin kroat Rijeka ku në vazhdime e humbëm ndeshjen 1:0.

Me ekipin e Prishtinës i kam disa tituj dhe Superkupa.

Por për mua shumë të veçantë janë dy titujt të fituar, ai i vitit 1991-1992 që ishte viti i parë i garave pas pavarësimit të futbollit kosovar, dhe ai i vitit 1999-2000 pas kthimit tonë në stadiume e që ishte kampionati i parë paslufte. Normalisht që është i vlefshëm edhe titulli i vitit 2003-2004 si edhe Superkupa e Kosovës po në këtë vit.

Ne ekipin e Vëllaznimit të Gjakovës kam qenë disa herë trajner (dy vite në Ligen e Dytë të ish-Jugosllavisë), ku kemi pas plasmanin më të mirë gjatë 14- viteve të garimit të Vëllaznimit në këtë ligë, si dhe kemi qenë fitues i Kupës së Kosovës në vitin 1987. Në këtë ekip kam qenë edhe pas luftës edhe kemi qenë finalist i Kupës së Kosovës në vitin 2009-2010.

Sipas kronistit gjakovar Sali Vula, jam trajneri me i suksesshëm i Vëllaznimit i të gjitha kohërave deri më tani.

 

Demokracia: Jeni trajneri i parë dhe i vetmi shqiptar që e keni udhëhequr gjeneratën e artë të KF Prishtina në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë në krye me legjendën Fadil Vokrri. Si e kujton atë kohë?

Shosholli: Me modesti po e them që ishte dhe është krenari që jam shqiptari i parë dhe i vetmi që ka udhëhequr një ekip në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë, pikërisht gjeneratën e arte të Prishtinës në krye me legjendën tonë Fadil Vokrri dhe gjithë bashkëlojtarët e tij të asaj gjenerate.

Ka qenë kohë kur në stadiumin e Prishtinës, mblidheshin deri në 40 mijë spektatorë me një anim të paparë. Shpesh ka ndodhur që jashtë stadiumit të mbesin edhe mijëra të tjerë.

Ishte koha kur kjo gjeneratë ka qenë edhe si kombëtare e të gjithë shqiptarëve në të gjitha trevat shqiptare dhe diasporë. Kohë kur në stadiumin të mbushur përplot këndohej në kor kënga ‘Besa-bese, besën ta kam dhënë për Prishtine-Kosovë jetën dojmë më dhënë’.  Gjenerata e cila lindi me kohën dhe u afirmua më kohën në kohëra të vështira.

Demokracia: Keni drejtuar edhe Shkëndijën e Tetovës në Maqedoni, por në kohën e ish-Jugosllavisë a keni pasur ofertë për ta udhëhequr ndonjë skuadër jashtë Kosovës?

Shosholli: Në kuadër të bashkëpunimit në mes të dy klubeve Prishtinës dhe Shkëndisë së Tetovës e cila kishte aspirata të bëhej pjesë e elitës së futbollit maqedonas, unë angazhohem si trajner i Shkëndisë, dhe në vitin 1995-1996 një ekip shqiptar bëhet për herë të parë pjesë e elitës së futbollit të Maqedonisë

Oferta jashtë Kosove? Prej vitit 1986-1990 pra  për 4 vite kam qenë anëtar i këshillit profesional në Federatën e Futbollit të ish-Jugosllavisë, deri sa kryetar i këtij këshilli ishte trajneri me përmasa evropiane malazezi Milijan Miljaniq, i cili paraprakisht ishte dy here seleksionues i ish-Jugosllavisë dhe trajner i Real Madridit.  Me të kemi pasur marrëdhënie shumë të mira dhe korrekte dhe në takimet që i kishim në këshill profesional, disa herë më ka bërë me dije se nëse jam i interesuar për të punuar jashtë Kosove, mund të më ndihmojë.

Por pasi në Kosovë në atë kohë i kemi pasur disa klube tipike profesionale si Prishtina, Trepça, Vëllaznimi pjesë e të cilave kam qenë si trajner, dhe kushtet për punë dhe ato materiale nuk kam qenë i interesuar të punoj jashtë vendit.

Demokracia:  Keni qenë trajner i Kombëtares së Kosovës para dhe pas luftës, sa ka qenë e vështirë me punu në atë kohë?

Shosholli: Po pas pavarësimit të futbollit kosovar kam qenë edhe seleksionues i parë (1991-1996), kur ka qenë kohë e vështirë për të gjithë neve që kemi qenë pjesë e futbollit të pavarur të Kosovës.

Edhe pse ka qenë e vështirë dhe kohë e rrezikshme, prapë kemi gjetur mënyra dhe forma të ndryshme që së bashku me FFK-në të organizojmë stërvitje dhe ndeshje me kombëtaren e Kosovës.

Pra në këto kohë të vështira ne me Kombëtaren  e Kosovës kemi zhvilluar ndeshjet e para e që më të rëndësishmet janë ato në Tetovë (1992), pastaj në Shqipëri në një turne një javor në vitin 1993 si dhe disa ndeshjet e tjera.

Natyrisht që pas zhvillimit të këtyre ndeshjeve, disa prej nesh kemi qenë të ftuar në polici dhe në biseda informative të pushtetit te atëhershëm, si për shembull në Prizren ka qenë i ftuar në polici kryetari i FFK-së, Agim Bytyqi, në Gjilan anëtari i kryesisë Jakup Berisha dhe unë në Mitrovicë si seleksionues, ku disa prej neve u janë konfiskuar pasaportat.

Megjithatë ja kemi dal ta mbajmë gjallë aktivitetin futbollistik dhe qysh në ato kohëra ta prezantojmë shtetin e Republikës së Kosovës.

Demokracia: Është një listë e gjatë e lojtarëve që keni trajnuar, por keni stërvitur edhe futbollistë në kohën kur ishin 16 ose 17 vjeç si Kozniku, Dallku, Munishi, Curri, Llumnica etj, etj. Cili është lojtari që të ka lënë më së shumti përshtypje?

Shosholli: Në punën time ka qenë edhe kënaqësi e posaçme që futbollistëve të rinj dhe të talentuar, t’iu jap mundësin e afirmimit të plotë.

Kjo ka ndodh me Koznikun në Vëllaznim, pastaj me Armend Dallkun, Debatik Currin, Afrim Tovërlanin, Xhevdet Llumnicën, Kushtrim Munishin në Prishtinë me Nebi Musatafën në Shkëndinë e Tetovës dhe shumë të tjerë.  Mendoj që trajneri përveç rezultateve të ekipit duhet t’i kushtojë rëndësi edhe afirmimit të futbollistëve të rinj.

Demokracia: Krahasimi mes futbollit që luhet sot dhe atij të kohëve të mëhershme?

ShoshollI: Për futbollin nuk thuhet rastësisht ‘që është gjeja më e bukur dhe më e rëndësishme e rendit të dytë në botë’. Loja më e popullarizuar në gjithë globin tonë.

Krahasimi i futbollit të tanishëm dhe atij të mëhershëm, është se sot vrapohet më tepër ku mesatarja e vrapimit të një futbollisti në ekipet elitare arrihet në 12-14 km gjatë një loje, apo vrapimi total i gjithë ekipit arrin prej 110-120 km për një ndeshje. Kjo do të thotë që loja është më dinamike dhe me ritëm më të lartë sesa që ka qenë më herët.Në vitet e mëhershme (viteve të 80-ta) vrapimi mesatar i një futbollisti ka qenë 7-9 km në një ndeshje. Pra dinamika dhe ritmi i lojës është më i shpejtë.

Tani kur kthehem në retrospektiv ndihem shumë mire dhe krenar që kam udhëhequr dhe kam qenë trajner i klubeve shumë të mëdha shqiptare si: Prishtina, Trepça, Vëllaznim dhe Shkëndija e Tetovës, e posaçërisht si seleksionues i parë i Kombëtares së Kosovës.

Demokracia: E fundit ku është sot baca Ajet me kënd jeton dhe me çfarë po merreni?

ShoshollI: Jetoj në Mitrovicë (një kohë kam jetuar edhe në Prishtinë) me bashkëshorten Sadijen-arsimtare tani në pension dhe djalin Agronin i martuar.

Përndryshe kam 3 fëmijë, vajzën Fluturën, djemtë Arbenin dhe Agronin si edhe tri mbesa: Alea, Lanika, Nara dhe tre nipa: Artin, Rronin dhe Muhamedin. Jam kryetar nderi i shoqatës të trajnerëve, këshilltar profesional në FFK dhe drejtor sportiv në KF Trepça. /Demokracia.com

 

Të ngjashme